E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështon për herë të 24-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Haxhiu: Po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votimin e fshehtë

Dështon për herë të 24-të përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare, të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që ta bëjnë këtë, por nuk pati propozime nga palët. Në sallë ishin 96 deputetë, pro votuan 53 deputetë, 1 ishte kundër dhe asnjë abstenim. Seanca e radhës do të mbahet me 2 qershor.

Lidhur me këtë situatë, kandidatura e propozuar e LVV-së për kryetare të Kuvendit, deputetja Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë që në mandatin e fundit ishin në opozitë, të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim.

“Ka deputetë që vijnë në Kuvend, por nuk e dinë pse vijnë. Deputetët e LVV-së në secilën seancë konstituive kanë qenë të pranishëm për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit. Sot ishte seanca e 16 prej momentit kur është propozuar votimi për të kaluar në votim të fshehtë, dhe në asnjërën nga këto seanca nuk ka pasur as përpjekjen më minimale të deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në votim. Nuk po themi të votojnë pro domosdo, por të votojnë kundër ose abstenim”, tha Haxhiu.

Ajo deklaroi për mediat se kjo situatë është shqetësuese.

“Janë 24 seanca me të sotmen. Kjo situatë natyrisht që është brengosëse, por sa i takon LVV-së, secilin obligim që e kemi pasur me Kushtetutë, me rregulloren e punës së Kuvendit, e kemi adresuar. Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për të konstiuuar Kuvendin. Edhe në letrën e Osmanit thuhet se u takon të gjithëve të gjejnë një mënyrë për të konstituuar Kuvendin, e jo për ta bllokuar atë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokues, që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të jemi në përputhje me Kushtetutën. Ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionin e fshehtë, çështje e cila është dërguar nga AAK-ja”, deklaroi Haxhiu.

Deklaratat e deputetëve pas dështimit të seancës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e cilësoi këtë zhvillim në Kuvend si një ngërç artificial.

“Ne sot do të duhet të ishim në seancë për të shkarkuar bordin e ZRrE-së, fatkeqësisht jemi në këtë situatë për shkak të kryeneçësisë politike të Kurtit dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin e tij politik. Nuk votohet me diktat, kemi një ngërç politik artificial. Ju bëj thirrje për reflektim”, tha Çitaku.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, pas dështimit të seancës konstituive u pyet lidhur me pagën 1 mijë e 500 euro që morën deputetët. Pyetja për pagën, Zemajt iu duk atraktive, por jo që mund të bëj zgjidhjen e problemit.

“Nuk vendosë unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore. Puna po bëhet, seancat janë të thirrura ashtu siç janë me rregullore. Këtë detyrë e ka deputeti me ardhur dhe me u bë pjesë e vendimmarrjes, detyrë tjetër pos përfaqësimit që janë edhe ligjore edhe kushtetuese nuk kanë”, tha Zemaj.

Artan Abrashi, deputet i VV-së tha se opozita po bojkoton dhe po saboton ndaj votimit për komisionin e fshehtë, sepse në këtë mënyrë të arrihet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Sot ishim dëshmitarë të dështimit të 16-të për të formuar komisionin e fshehtë. Është duke dështuar si rezultat i bojkotit dhe sabotazhit opozitar. Është absurde”, tha ai.

Sipas tij, VV-ja është në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›