Kosovë, bizneset protestë kundër daljes në tregun e lirë energjetik. Kurti: Kishit kohë të përgatiteshit

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të nxjerrë bizneset e mëdha nga sistemi i tarifave të rregulluara të energjisë elektrike dhe për t’i futur në tregun e lirë ka bërë që sipërmarrësit të dalin në protesta duke bllokuar hyrjet dhe daljen në Prishtinë.
Sipas vendimit, duke nisur nga 1 qershori, të gjitha bizneset do të detyrohen të sigurojnë vetë furnizuesin e tyre të energjisë nga tregu i lirë. Bizneset kërkojnë më shumë kohë për t’u përgatitur, pasi kalimi i menjëhershëm në tregun e lirë do të shkaktojë rritje të ndjeshme të kostove dhe do të dëmtojë konkurrueshmërinë e tyre.
Por kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bizneset kanë pasur kohë mjaftueshëm, ndërsa kritikoi Odën Ekonomike për mungesën e përgatitjes së bizneseve ndaj kësaj reforme.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë zbatuar këtë reformë vite me parë. Sfida ekziston, por bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurruese dhe kanë pasur më shumë kohë se të tjerët për t’u përgatitur për ndikimin e daljes në treg. Nga ana jonë, kemi përkrahur biznese kur ato kishin nevojë dhe do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve vendor. Oda Ekonomike e Kosovës, që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton t’i bllokojë rrugët vetëm me një kërkesë; shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen po e kërkojnë me arsyetimin se do të përgatiten për një vit, duke injoruar faktin se nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për tetë vjetët e kaluara, përderisa shtyhej ky proces”, tha Kurti.
Vendimi për daljen në tregun e lirë energjetik nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Në të kundërt, ato do të kalojnë automatikisht në tregun e hapur, ku çmimet varen nga lëvizjet e tregut.
/rtsh.al/