Detaje nga shpërthimi me tritol në Kamëz, pista e hetimeve

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Kamzën mëngjesin e kësaj të shtune. Një sasi tritoli afro 50 gramë ishte vendosur në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën Donald Trump. Lokali rezulton të jetë marrë me qira nga Oltjon Muçaj, i cili para policisë ka thënë se nuk e ka idenë se kush mund të jetë autori.
Si pasojë e shpërthimit, fatmirësisht nuk ka të lënduar, por lokali ka pësuar dëme të konsiderueshme.Gjithashtu janë dëmtuar edhe bizneset aty pranë, ku janë thyer xhamat.
Nga hetimet e policisë është vërtetuar se në këtë ngjarje janë të përfshirë dy persona. Pamjet e kamerave të sigurisë në këtë zonë, tregojnë një mjet tip “Audi”, i cili dyshohet i përket autorëve të krimit. Ky mjet është filmuar duke bërë disa lëvizje për të vëzhguar zonën. Një prej personave, autor i vendosjes së tritolit, duket qe zbret nga mjeti me një kapele në kokë, epasi ngjitet në shkallët e biznesit vëzhgon nga afër lokalin.
Makina është kthye sërish dhe i njëjti person pasi ka dalë nga mjeti , ka ndezur fitilin e tritolit duke e hedhur në drejtim të lokalit.
Në komisariat janë shoqëruar disa persona të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për shpërthimin e tritolit ndërsa po verifikohet nëse pronari i lokalit ka patur konflikte gjatë ditëve të fundit.