Detaje të reja nga tragjedia në Bondi, dy autorët u kthyen nga Filipinet pak javë para sulmit

Dy personat e dyshuar si të armatosur të grupit Bondi kishin udhëtuar në Filipine nga 1 deri më 28 nëntor, sipas të dhënave të konfirmuara nga Zyra e Imigracionit të Filipineve për BBC-në.
Sipas autoriteteve, Sajid Akram (50 vjeç) udhëtoi duke përdorur një pasaportë indiane, ndërsa djali i tij, Naveed Akram (24 vjeç), përdori një pasaportë australiane. Të dy kishin deklaruar qytetin jugor të Davaos si destinacionin e tyre përfundimtar gjatë qëndrimit në Filipine, ndërsa fluturimi i kthimit drejt Australisë ishte planifikuar për në Sidnei.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Uellsin e Ri Jugor (NSW) njoftuan se 24 persona të plagosur nga sulmi i së dielës në Bondi, Sidnei, vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor. Në këtë numër përfshihen edhe persona që janë liruar nga spitali, por që mund të rikthehen për kujdes të mëtejshëm.
Sipas një zëdhënësi, dy pacientë ndodhen në gjendje kritike në Spitalin St Vincent, ndërsa një tjetër është në gjendje kritike në Spitalin Royal Prince Alfred. Të dy spitalet kanë gjithashtu nga dy pacientë të tjerë në gjendje “kritike, por të qëndrueshme”, ndërsa Spitali St George raporton një pacient në të njëjtën gjendje. Pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme.
“Shëndetësia e NSW-së shpreh ngushëllimet e saj më të thella për familjet, miqtë dhe të dashurit e atyre që humbën jetën dhe u plagosën në Bondi Beach”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se Bondi Beach, një prej plazheve më të njohura të Australisë, u trondit nga të shtënat me armë zjarri, ku 15 persaona humbën jetën dhe rreth 40 të tjerë u plagosën.
Mes viktimave ishte edhe njëri prej autorëve të dyshuar, ndërsa autori tjetër u vu në pranga.
/rtsh.al/