“Detyrim ndaj kujtdo që beson tek puna, jo tek balta”, Balluku: Nuk do dëgjoni kurrë nga unë sharje për drejtësinë e re

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar për herë të parë pas komunikimit të akuzës nga SPAK.
Gjatë seancës plenare, ku diskutohej projektbuxheti i vitit 2026, Balluku tha se nuk ka asnjë koment për çështjen në hetim dhe se nuk do të sulmojë institucionet e drejtësisë.
“Përpara se të nis prezantimin e buxhetit sektorial për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, 11 programet që ajo përfshin, dëshiroj të them disa fjalë që ia kam borxh mijëra qytetarëve që më kanë besuar përfaqësimin e tyre. Më duhet të them disa fjalë, jo për të kompensuar baltën, aludimet, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo në këtë vend, që beson tek puna dhe jo tek balta.
Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje e as kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht, as lëvdata e himne, pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re, e dalë nga reforma, produkt i vullnetit politik të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës, është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta, me pikat e saj të forta, por si gjithçka e re konsolidohet dita-ditës”, tha ndër të tjera në fjalën e saj Balluku.
Fjala e plotë e zv/kryeministres:
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kolegë deputetë,
Përpara se të nis prezantimin e buxhetit sektorial për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, 11 programet që ajo përfshin, dëshiroj të them disa fjalë që ia kam borxh mijëra qytetarëve që më kanë besuar përfaqësimin e tyre. Më duhet të them disa fjalë, jo për të kompensuar baltën, aludimet, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo në këtë vend, që beson tek puna dhe jo tek balta.
Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje e as kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht, as lëvdata e himne, pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re, e dalë nga reforma, produkt i vullnetit politik të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës, është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta, me pikat e saj të forta, por si gjithçka e re konsolidohet dita-ditës.
Nuk do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën, ashtu si e gjykon. Nuk do të prononcohem kurrë për çështje nën hetim, pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cila do qoftë ajo. Por unë, si të gjithë kolegët e mi të Partisë Socialiste mbështesim reformën në drejtësi dhe produktet e saj, edhe kur prekemi personalisht, pasi ndryshe nga sa thoni e mendohet, Partia Socialiste është një formacion politik serioz, i vetmi në Republikën e Shqipërisë, ku fjala e secilit dëgjohet dhe fjala e secilit ka peshë, e ajo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialisti, ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment.
Çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që ndiqni nga kafja e parlamentit në këto momente, keni dy standarde përsa i përket reformës në drejtësi dhe përsa i përket SPAK-ut. Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukamfshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi për një vrasje shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK-u ndikohet nga Edi Rama. Kur SPAK-u thërret Sali Berishën dhe e mban me arrest shtëpie përditë e përmuaj dhe më pas kur sot është i pandehur në GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë atëherë Edi Rama e ndikon SPAK-un, por kur sipas jush merret me maxhorancën atëherë ju bëheni martirët e drejtësisë, bëheni britma e klithma e saj.
Deputetë opozitarë, detyra e një opozite është oferta politike e saj, ndryshe nga oferta politike e maxhorancës, rotacionin që kaq shumë e doni nuk mund ta bazoni me pathos se kë do të kap SPAK-u nga maxhoranca. Jeni kthyer në një tifozeri sedentare që i lutet Zotit aman ti heq SPAK-u këta që të vijmë ne, por rotacioni bëhet me votë dhe jo me lutje e duartrokitje.
Sot Buxheti 2026 që prezantohet në këtë sallë, është premtimi i mbajtur i ofertës politike të Edi Ramës. Kush është alternativa juaj? Çfarë i ofroni ndryshe shqiptarëve? Partia Socialiste është e vetmja parti që ka një ofertë politike sot për vendin. Ju keni emrin Partia Demokratike, por me demokracinë brenda partisë nuk keni lidhje, tek ju për të qenë pranë Faraonit Sali duhet të mos kesh formë, shtyllë kurrizore, të jesh një kameleon që ndryshon, madje qëndrim politik edhe brenda 24 orëve. Është normale ndoshta për llojin tuaj që të bëni këtë lloj opozite, që për të thënë të drejtën nuk është se nuk na vjen përshtat, por jo, edhe ne do të dëshironim një opozitë më të mirë, një opozitë serioze, një opozitë që nuk e ka luftën personale me askënd, por e ka luftën ideologjike.
Ja që nuk e kemi këtë mundësi dhe unë personalisht e kam shumë të qartë pse jam nën një sulm personal që nuk më ka nisur as sot, as ditën që shkova në SPAK, por ka kohë që më ka nisur, pasi ju nuk e falni, as suksesin politik edhe as njeriun që punon, madje ju nuk i falni ata që dallojnë as brenda radhëve tuaja, pa përjashtuar askënd nga ky krah.
Ju nuk falni 8 humbje në 12 vitet e fundit dhe ju përmes sulmeve personale ndaj secilit prej nesh, padyshim mbuloni dështimin tuaj.
Dëgjova këtu një thirrje pak më parë dhe më bëri shumë përshtypje, dikush u ngrit nga radhët tuaja dhe tha të mos merremi me familjarët. Seriozisht, kur e vendosët këtë akt etik. Na njoftoni edhe ne, sepse ju nuk merreni thjesht me familjarët, ju keni ngritur të vdekurit nga varri dhe i keni sjellë nëpër foltore e nëpër parlamente.
Unë me shumë prej jush jam përballur politikisht dhe jam përballur në fushë betejë aty ku duhet të dalin dhe të përballen burrat dhe shumë prej jush i kam ulur në gjunjë.