Devijimi në rrugën Kukës-Morinë – Nis nga kjo e shtunë, shkak punimet për urën e re mbi liqen

Devijimi i trafikut për arsye të zhvendosjes së urës që do të zgjasë afro dy javë do të bëjë që automjetet që vijnë nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas të mos qarkullojnë në aksin e zakonshëm të rrugës së kombit , por gjatë segmenteve të unazës së qytetit.
Në kantier punohet gjatë gjithë ditës, pavarësisht kushteve të motit që herë herë nuk janë në favor të punonjësve, janë punë që kërkojnë kohë të jashtëzakonshme, por që në vetvete kanë një shkallë të lartë sigurie për projektin final të një ure të përfunduar e funksionale.
Edhe udhëtaret që përshkruajnë rrugën e Kombit shprehen se është një investim i vlefshëm dhe i bukur për t’u parë.
Mendohet se sezoni i ri turistik do ta gjejë urën në vendin e saj dhe në funksion të plotë. Ura në fjalë me një gjatësi 310 metra dhe hapësirë jashtë bazamenteve 270 metra, lartësi 50 metra e bën këtë urën më të veçantë dhe urën me harkun më të lartë në rajon. Katër korsi do të ketë ura në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo celiku që fiksohen nga bazamenti në harkun e Urës.
/RTSH/