Devolli: Kjo Tiranë do të jetë e frikshme
Mesfushori Bledar Devolli flet për ditët e para si bardheblu, teksa vlerëson grupin që është formuar
I kanë mjaftuar vetëm 7 ditë stërvitje, që të kuptojë edhe më mirë se Tirana e këtij sezoni do të jetë skuadra për t'u mundur. Bledar Devolli, blerja e re e presidentit Refik Halili, duket se është ambientuar shumë shpejt me shokët dhe stafin teknik. Gjirokastriti ndihet i kënaqur me gjithçka që e rrethon dhe shpreson ta shpërblejë besimin në fushë. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", Devolli është i sigurt se titulli kampion do të bëhet realitet në kampionatin e ri, që do të nisë më 24 gusht.
Bledi, si kanë qenë ditët tuaja të para si bardheblu?
Ia kam kaluar shumë mirë. Me pjesën më të madhe të lojtarëve njihesha, ndërkohë që edhe me një pjesë të stafit teknik kam kaluar mirë kur kam qenë para 7 vitesh. E vetmja enigmë për t'u zbuluar ishte trajneri Bllazhe Slishkoviç.
Çfarë përshtypjeje ju ka lënë boshnjaku?
Shumë të mira. Eshtë një trajner profesionist dhe kjo duket qartë në mënyrën se si punon me ne, duke na shpjeguar çdo ushtrim dhe çdo detyrë që kemi në fushën e lojës. Stërvitja që Slishkoviç aplikon është e larmishme dhe na jep mundësinë të lodhemi duke u kënaqur.
Si po ju duket skuadra në fushë?
Të gjithë, pa përjashtim, jemi të përkushtuar për të marrë më të mirën nga kjo fazë përgatitore. E kam fjalën këtu që nga më i riu dhe deri te më i vjetri në skuadër, po punojmë me të njëjtin intensitet. Kjo edhe falë kushteve që na janë krijuar në Ohër, ku hoteli ndodhet afër me fushën stërvitore, ndërkohë që temperaturat janë të ulëta.
A mendoni se ka ende nevojë që grupi të kompletohet?
Në një skuadër si Tirana, përforcimet janë gjithmonë të nevojshme. Dje, me grupin është bashkuar mbrojtësi Andi Lila, ndërkohë që presim Daniel Xhafajn, Abraham Alechenyn, Laurent Mohelebin dhe Erbim Fagun, të cilët janë deklaruar pjesë e ekipit. Edhe kështu jemi shumë të fortë, por nëse do të vinte dikush tjetër, që ka karakteristikat për të luajtur te Tirana, sigurisht që i ka dyert të hapura.
Mesfusha, ku edhe ju vetë luani, ështe reparti i mbipopulluar...?
Eshtë e vërtetë. Jemi disa lojtarë me karakteristika të njëjta, por kjo nuk përbën problem për mua, sepse do të jetë trajneri ai që do të zgjedhë se kush do të luajë. Personalisht, jam përgatitur për të përballuar konkurrencën te Tirana, ndryshe nga sa kam luajtur nëpër ekipe të tjera, ku isha titullar.
Në fund, deri ku e shihni se mund të arrijë kjo Tiranë?
Një klub si yni nuk duhet ta vërë në dyshim shpalljen kampion. Do t'i siguroja të gjithë, veçanërisht kundërshtarët, se Tirana e këtij sezoni do të jetë një skuadër e frikshme në fushë.