Sigurimet, kompanitë paguajnë 1.7 mln USD më pak dëme
AMF: Në 6 mujorin e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 17.6% më pak dëme
Kompanitë e sigurimeve në vend kanë paguar më pak dëme gjatë pjesës së parë të këtij viti. Raporti është bërë i ditur nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sipas raportit të AMF gjatë kësaj periudhe, kompanitë e sigurimit kanë paguar në total 1.7 milionë dollarë më pak dëme, ose 17.6 për qind më pak. Gjithsej në këtë periudhë janë paguar 640,277 mijë lekë dëme, ose 17.60 % më pak se në periudhën Janar-Qershor 2007. Të dhënat e bëra publike nga ana e kompanive të sigurimeve bëjnë të ditur për një rritje të tregut që vjen në radhë të parë nga sigurimi i detyrueshëm motorik. Një rritje e tillë është mëse e natyrshme për shkak të numrit të makinave në rritje, që në një vit shkon deri në 30 mijë. Për sa i përket dëmeve në rënie të paguara nga kompanitë e sigurimeve, ka qenë vetë AMF që në një raportim në Kuvend, për vitin 2007, ka deklaruar se raporti dëme/prime mbetet larg standardeve. Por në tregun e sigurimeve njihet tashmë prej kohësh rasti i deklarimeve të policave të mbivlerësuara. Pra, shuma që deklarohet është më e lartë në të vërtetë se arkëtimi i bërë nga ana e kompanive. Një fakt i tillë bën që shpeshherë të përkeqësohet ndjeshëm edhe raporti dëme/prime. Një detyrim i tillë deri tani kompanive i kishte ardhur për shkak të një urdhri të ministrit të Financave, që parashikonte çmime minimale dhe maksimale për policat e sigurimit të detyrueshëm. Tashmë me ligjin e ri është përcaktuar që kriteret të vendosen nga vetë kompanitë e sigurimeve dhe të miratohen nga AMF.
***
Çmimet e Policave të Sigurimit të detyrueshëm të automjeteve pësuan ulje të ndjeshme në treg, gjatë javëve së fundit, pas vendimi të Ministrisë e Financave për tërheqjen e çmimeve e përcaktuara në këtë treg. Policat e Sigurimeve tashmë kanë filluar të shiten me 70% ose 60% të çmimit minimal. Makinat tipike në Shqipëri kanë zakonisht motorë me madhësi të dhomës së djegies 1800 deri në 3000 centimetra/kub. Vitin e kaluar, sigurimi për këto makina qe jo më pak se 13.800 lekë. Realisht, në treg, një Policë e tillë sigurimi mund të gjendej edhe për 11 mijë lekë, por gjatë javës së fundit, çmimi ka rënë në 8200 lekë. Madje disa kompani janë edhe më agresive, duke ofruar çmime poshtë edhe kësaj “dyshemeje”. Gjatë viteve të fundit, ka patur disa tentativa për të liberalizuar tregun e sigurimit të makinave, por që të gjitha kanë qenë jo të suksesshme. Të ardhurat formale të sigurimeve u rritën me 43% gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin 2006, si pasojë e rritjes së fortë të çmimeve. Konkurrenca e ashpër ka bërë që kompanitë e sigurimeve rezultojnë sot institucione financiare që shpenzojnë 70% të të ardhurave të veta për mbledhjen e këtyre të ardhurave, gjë e paimagjinueshme për një sektor të tillë.