E Diel, 1 Nëntor 2026

Dezinformimi në mediat shqiptare, drejtues të UGSH: Po përgatisim një antologji e rasteve të dezinformimit

“Dezinformimi në mediat shqiptare, faktor mosbesueshmërie  në procesin  e informimit “ ka qenë tema e takimit të organizuar nga AMA, në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë , me  gazetarët e qarkut Shkodër.

Gjatë këtij takimi, Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, bëri të ditur se këto dy institucione po punojnë  për krijimin e “Antologjisë së rasteve të dezinformimit  në mediat shqiptare”, ndaj takimet po zhvillohen në qytetet ku është dhe numri më i madh i mediave audio- vizive.

“AMA dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptar është duke përgatitur një antologji të rasteve të dezinformimit në mediat audio-vizive shqiptare. Dezinformimi sot është një nga shqetësimet më të mëdha në hapësirën mediatike ndërkombëtare, por kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke krijuar një antologjie të tillë, ne krijojmë një diferencë midis rasteve dhe shembëllimit të tyre për të mos qenë të tilla në praktikën e raportimit”, u shpreh Çipa.

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Çipa, sqaroi se,  ndërkohë  AMA vijon  monitorimin e vazhdueshme  për të bërë analizën krahasuese mes rasteve të dezinformiit dhe drejtinformimit.

“AMA realizon atë që quhet monitorimi ditor. Mbi bazën e një analize krahasimore bëhet përcaktueshmëria se ku kemi të bëjmë me rastet e dezinformimit dhe drejtinformimit”, tha Çipa.

Çipa  vuri në dukje se, gjatë viteve të fundit është regjistruar një rritje e mediave online, që shpesh  publikojnë përmbajtje të pa verifikuara duke i mos respektuar standardet bazë të gazetarisë dhe etikës profesionale.

Gazetar: V. Omari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›