E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dezinsektimi në 6 qarqe, Balluku dhe Koçiu nga Divjaka: Proces me impakt për turistët dhe qytetarët

Ministria e Shëndetësisë Albana Koçiu po vijon me zbatimin e Programit Kombëtar të Dezinsektimit për vitin 2025 në gjashtë qarqe të vendit i cili synon uljen e dendësisë së mushkonjave nëpërmjet kontrollit të larvave për të parandaluar sëmundjet infektive të transmetuara prej tyre dhe uljen e nivelit të bezdisjes për banorët dhe pushuesit gjatë sezonit turistik.

Zv.Kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja Koçiu, shoqëruar nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini dhe Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea ndoqën nga afër procesin e dezinsektimit në Divjakë.

Ministrja Koçiu sqaroi se dezinsektimi është një proces i cili kryhet në mënyrë periodike çdo vit në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

“Janë afro 100 punonjës, staf i Institutit të Shëndetit Publik dhe i Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, të cilët bëjnë evidentimet dhe vlerësimet entomologjike. Ndërkohë mbasi kanë evidentuar gjithë zonat që konsiderohen si zona të nxehta sa i përket larvave të mushkonjave, marrin një proces trajnimi të vazhdueshëm, periodik  nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik në lidhje me cilat do quajmë zona të nxehta, si do të duhet të kryhet procesi, pasi procesi monitorohet në vazhdimësi dhe duhet që të kujdesemi që e gjithë procedura të jetë sa më efektive”,  u shpreh ajo.

Ministrja theksoi se ky proces nuk kryhet vetëm përgjatë vijës bregdetare, por edhe në zonat urbane të cilat janë gjithashtu zona që janë nën kujdes.

“I njëjti proces dezinsektimi kryhet edhe në zonat urbane, sidomos në bodrume, në puseta, në qytetet kryesore.  Janë diku tek 50 mijë metër katrorë sipërfaqe pusetash, bodrumesh e cila gjithashtu i nënshtrohet këtij procesi”.- detajoi Koçiu.

Zv.Kryeministrja Belinda Balluku evidentoi impaktin që ka ky proces jo vetëm për qetësinë dhe sigurinë e turistët gjatë sezonit veror, por edhe për banorët e zonës së Divjakës dhe në zonat e tjera bregdetare të Qarkut Fier.

“Eksperienca krijon edhe një habitat të përbashkët për të përmirësuar proceset kështu që unë jam e sigurt që vit pas viti edhe rezultatet që do jenë edhe më të mira. Këtu duhet të keni parasysh që situata në një moment është me të vërtetë shqetësuese edhe për banorët kështu që vlerësohet shumë ky proces në zonën e Divjakës dhe në zonat e tjera bregdetare të Qarkut të Fierit, ndoshta më shumë se kudo tjetër pasi nuk është thjesht për pjesën e turistëve  që është shumë e rëndësishme, dhe ne e dimë që të gjithë ato vende që e kanë turizëm të zhvilluar e kanë këtë proces prej kohësh, por nga ana tjetër këtu është edhe për mirëqenien e  banorëve”, nënvizoi zv/kryeministrja Balluku.

Drejtoresha e Institutit  të Shëndetit Publik, Eugena Tominishpjegoi pjesën teknike të dezinsektimit dhe theksoi se i gjithë procesi kryhet nga produkte biocide që nuk dëmtojnë ekosistemet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›