Zelensky: Të ushtrohet më shumë presion mbi Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që të ushtrohet më shumë presion mbi Rusinë ndërsa bisedimet midis të dërguarit të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Vladimir Putin vazhdojnë në Kremlin.
Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, Zelensky shprehet se Rusia përdori një raketë të Koresë së Veriut në sulmin e djeshëm ndaj Kievit, i cili rezultoi në vdekjen e 12 civilëve.
“Presioni i pamjaftueshëm mbi Rusinë i lejon ata të importojnë raketa dhe armë të tjera të tilla dhe t’i përdorin ato këtu, në Evropë. Presioni i pamjaftueshëm mbi Korenë e Veriut dhe aleatët e saj i lejon ata të prodhojnë raketa të tilla balistike.
Raketa që vrau banorët e Kievit përmbante të paktën 116 pjesë të importuara nga vende të tjera, dhe shumica e tyre, për fat të keq, u prodhuan nga kompani amerikane”, shkruan Zelensky.
Ai shton se kanë kaluar 45 ditë që kur Ukraina ra dakord me propozimin e Trump për “qetësi në qiell, det dhe në vijën e frontit. Rusia i hodhi poshtë të gjitha këto. Pa presion, kjo nuk mund të zgjidhet. Presioni ndaj Rusisë është i nevojshëm”
/rtsh.al/