Dhe alpinistët e mbajtën premtimin që i bënë Berishës për të ngjitur flamurin shqiptar në Everest (FOTO)
Dy nga alpinistët shqiptarë që u ngjitën në majën e Everestit janë kthyer në Tiranë, ku janë pritur me shumë flamuj… të Partisë Demokratike. Edhe pse ata bënë një mision për vendin e tyre, në atdhe janë pritur si misionarë të PD. Madje kjo e fundit ka shpërndarë një njoftim për mediat për mbërritjen e tyre në atdhe. Në njoftim thuhet se alpinistët i kishin premtuar Berishës se do e çojnë flamurin në Everest dhe ia dolën.
Xhimi dhe Mateo Begeja, at e bir, mundën të vendosin rekord në ngjitjen e Everestit gjatë një ekspedite. Kjo nisëm vjen pas një pune të gjatë dhe pas pushtimit të disa majave të larta dhe të rëndësishme në botën sportive të alpinizmit. Grupi i alpinistëve i drejtuar nga Ibrahim Haçkaj u prit nga Kryeministri Sali Berisha pas ngjitjes së tyre në Kilimanxharo. Gjatë këtij takimi ata i premtuan Kryeministrit ngjitjen në Everest për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë duke marrë mbështetjen e tij të plotë në këtë sipërmarrje sa të vështirë aq edhe madhështore, thuhet në njoftimin e PD.
Maturanti në gjimnazin Sami Frashëri, Mateo kthehet pas ngjitjes së sukseshme në Everest në lartësinë 8844 metra. Bashkëmoshatarët e tij, nxënës të Shkollës Sami Frashëri dhe anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe kryetari i FRPD Gerti Bogdani, i rezervuan një pritje prej kampioni në Aeroportin e Nënë Tereza. Mateo, anëtar i FRPD-së, u kthye në Shqipëri me premtim të mbajtur, duke e ngritur flamurin shqiptar në 100 vjetorin e Pavarësisë në majën më të lartë të botës.
Pas mbërritjes në Tiranë, Mateo deklaroi për mediat ndjenjat e veçanta kur valviti flamurin shqiptarët në çatinë e botës:
Moment i veçantë, sigurisht është të valëvitësh flamurin shqiptar në majën e Everestit. Është nder, krenari që i shërbeva kombit shqiptar dhe sportit shqiptar për 100 vjetorin e Pavarësisë . U kthyem me këtë simbol at e bir duke realizuar edhe rekordin botëror, u shpreh Mateo. Delegacioni shqiptar përbëhej nga 6 alpinistë të cilët kthehen më datë 6 qershor në atdhe. Ata shënuan një nga rezultatet më të mira të të gjitha kohërave në sportin e alpinizmit në Shqipëri, vijon njoftimi.

