Dhjetë magjistarët e futbollitJanë dhjetë kampionë, të cilët i krijojnë shumë thjesht kryeveprat. Yje të shndërruar në makina të fuqishme parash për “producentët”

Publikoje ne rrjetet sociale:
(ALBANIA SPORT) - I befasojnë të gjithë me veprime që shkruhen e mbeten në kujtesën e gjithkujt. Driblojnë thjeshtësisht në një mënyrë që të tjerëve u duhen vite për t’i arritur. Kanë goditje artistësh. Të lindur rastësisht, por të studiuar e përpunuar gjatë stërvitjeve për ta shndërruar futbollin në një magji, për t’i dhënë bukurinë e nxitur dëshirën për ta riparë. Liga e Kampioneve është vitrina më e madhe. Dhe ata e dinë atë, duke realizuar veprime të jashtëzakonshme dhe duke u shndërruar në një makinë të fuqishme parash për “producentët” e tyre. Janë dhjetë kampionë, të cilët krijojnë dhjetë kryevepra. Dhjetë mënyra për të treguar të ndryshme. Shijen e gjestit. Gjestin më të shijshëm.
1. Magjia e xhonglerit Ronaldinjo
I krijuar për të përkëdhelur topin dhe ndezur ëndrrat e çdo tifozi. Niset nga e majta për të sulmuar zonën, me një ritëm që duket se shoqërohet nga një muzikë, me një buzëqeshje në çdo lëvizje, si një artist që e di se vendoset nota në pentagram, i butë, i aftë të vizatojë në qiell një ylber me goditjen e tij magjike. Xhonglime në lëvizje, driblime në të qindtën e sekondës, që të pëlqen gjithmonë të imagjinosh. Ky është magjistari. Dhe këtë e ka provuar si te Paris Sën Zhermeni në Francë (17 gola, 55 ndeshje), Barcelona (70 gola, 145 ndeshje), por dhe tani te Milani (11 gola, 43 ndeshje). Dhjetra gola të realizuar direkt nga gjuajtja e lirë, por dhe dhjetëra asistë për shokët e ekipeve me të cilët ka luajtur. Tani “Gaucho” ka marrë përdore Milanin e Leonardos në Serinë A.
2.Shpejtësia e solistit Riki Kaka
Nga Milani iku te Reali i Madridit për shumën e 68.5 milionë eurove, shuma e tretë e paguar për ndonjë futbollist në botë, pas Kristiano Ronaldos dhe Zinedin Zidan, të blerë po nga Reali i Madridit. Shpejtësi marramendëse (i bën 30 metrat në 3’7 sekonda), rezistencë e admirueshme. I aftë të ndërfutet midis kundërshtarëve, të shohë dritë në fund të errësirës së murit mbrojtës të kundërshtarëve. Vlerësoni faktin: kur niset me topin në këmbë, në vazhdimësi, magjepste gjithë Milanin, tani Realin e Madridit. Ka stilin e një solisti, por duke kënduar në shoqërinë e një skuadre të tërë i josh të gjithë me gjestin e tij. Ai nuk vallëzon i vetëm. Por edhe me “Topin e artë” të fituar në vitin 2007. Në 10 ndeshje ka shënaur 3 gola me Realin e Madridit.
3.Akrobacitë muzikore të Zlatan Ibrahimoviçit
Ibrakadabra. Një “gjeni i futbollit” i rënë në “rrjetën e merimangës” të ekipeve më të mëdha në botë: Ajaks (35 gola, 74 ndeshje), Juventus (20 gola, 73 ndeshje), Inter (57 gola, 88 ndeshje) dhe aktualisht te Barcelona (10 gola në 12 ndeshjet e para të tij). Katalanasit e blenë kartonin e tij 69 milionë euro, por Ibra ua shpërbleu me golin në fitoren 1-0 kundër Realit të Madridit. Zotëron fizikun e një stoperi, këmbët e Herri Poterit: shembull perfekt i futbollit muskulor i mijëvjeçarit të tretë, bën gjënë më të vështirë në mënyrën më të vështirë. Rishiheni për të besuar golin që bëri në Europianin e vitit 2004, një takë fluturuese në rrotullim e sipër, për ta përfunduar topin atje ku kryqëzohen dy shtyllat, një goditje vdekjeprurëse. Një tjetër goditje: tingulli që lëshon këpuca që godet topin.
4.Potenca afrikane e Didier Drogbasë
Fiziku i jashtëzakonshëm, i përzier me teknikë. Një mbrojtës i jashtëzakonshëm i topit, por edhe i pamëshirshëm kur ndodhet brenda zonës. Gjuajtje fluturimthi nga të gjitha pozicionet: qendrore, diagonale, goditje të thata, cinike, me këmbët që duken si një kompas. Repertori i Didier Drogbasë është i pafundmë. I shpejtë, i paparashikueshëm, i fuqishëm, eksploziv, por dhe grindavec. Kjo e fundit e “fshehur” nga cilësitë e mëdha. Fakti: e gjithë bota e pa “live” shpërthimin e 32-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë, kur Çelsi i tij u eliminua sezonin e kaluar nga Barcelona në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. 67 gola në total me Çelsin.
5.Gjeometria e pastër e Uesli Shnajderit
Kur gjeometria shndërrohet në një vepër arti. Blerja e re e Interit të Hoze Murinjos është një holandez 25-vjeçar. Shkolla: Ajaks i Amsterdamit e më pas, Real Madrid. Kostoja e blerjes së tij nga Inter: 15 milionë euro. Pak Redodondo (në pastërtinë e përpunimit të topit), pak Boban (në paparashikueshmërinë dhe ndjenjën me golin), pak Rui Kosta (në gjerësinë e vrapimit): është idhulli i ri “San Siros”, është versioni modern i mesfushorit total holandez të viteve ’70. Pa të në fushë Interi e ka të zorshme të fitojë
6.Gjuajtjet “klik” të Stiven Xherardit
Joshës, bujar, i lakmueshëm. Më shumë se raporti individ-skuadër, brenda imagjinatës së tij luan një skuadër e tërë. Di të bëjë gjithçka, diçka në mënyrë perfekte. Futjet në zonë, gjuajtjet nga larg. Kush guxon, fiton. Kapiteni i Liverpulit, Stivën Xherard, guxon dhe shënon. Gjuajtje të thata që fshijnë pluhurin, tapa shampanje që kërcejnë, gjuajtje të një bukurie absolute, nga çdo pozicion, duke karikuar të djathtën si një “klik” i pushkëve në filmat “Uestern’.
7.Goditjet predhë të Roberto Karlosit
Sekreti i gjuajtjeve të tij mbretërore befasonte këdo në Spanjë. Goditje me “tre dedos”, tre gishta, kopje e gjuajtjeve të brazilianit Branko, patriotit të tij, i cili luajti në Itali në fillim të viteve ’90. Të godasësh topin me të jashtmen e së majtës, si një shigjetë, drejt e në zemër të portës, të kujton përshtypjen optike se është një telekomandë e padukshme që e çon topin atje ku dëshiron ajo, si era një copë letër. 36-vjeçari brazilian aktualisht me Fenerbahçen në Turqi.
8.Prekja e ëmbël e Samir Nasrisë
Guri bazë për Samir Nasri quhet Zinedin Zidan. Idhulli i francezit të ri. E quajnë të gjithë një pasues të Zizusë. Edhe pse në lëvizje, mesfushori i Marsejës është më pak elegant. Në prekjen e topit, Zizu vallëzon ngadalë, mbyll sytë dhe duket se jeton brenda tij. Nasri ka një prekje që ngjan më shumë si një hip hop, një goditje më frenetike, tipike për atë që është 21 vjeç dhe dëshiron t’i tregojë botës se kush është. Aktualisht luan te Arsenali në Angli.
9.Driblimet ‘ekspres” të Kristiano Ronaldos
Shpejtësi atleti e shoqëruar me artin e driblimit. Një nga të paktët në botë që e gëzon këtë cilësi, gjithmonë prodhon diçka magjepsëse. Gjatë ditës, jashtë fushës, mund të jetë një njeri që i dridhet zemra për gjithçka. Por në fushë: bën finte, kundrafinte, i gjithanshëm me topin, impulsiv, rrit shpejtësinë, ndalon dhe niset. Kur portugezi fluturon, ndihet ritmi i tambureve: gjithçka tjetër është një shpejtësi plejstejshëni. U ble për 93 milionë euro nga Reali i Madridit dhe ua ka shpërblyer spanjollëve me 6 gola në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, lojtari që ka shënuar më shumë. Kristiano Ronaldo është fituesi i “Topit të artë 2008”, por dhe “Lojtari më i mirë në botë FIFA”. Johan Krujf tha për Kristoano Ronaldon: Ronaldo ëstë më i mirë se Xhorxh Best dhe Denis Lou, dy lojtarë të shkëlqyer që bënë histori te Mançester Junaitid”.
10.“Garuzhdja” magjike e Totit
Kanë kaluar nëntë vjet. Ishte 28 qershor i vitit 2000, Kampionati Europian, Itali-Holandë. Prej kësaj dite, gjuajtja e tij, “il cucchiao” (garuzhdja), është shndërruar në një goditje artisti. Toti nuk është vetëm ky, ka dhe gjëra të tjera, por brenda kësaj goditjeje gjeniale është vetëm Toti: talent, paturpshmëria, vetëdija. “Mo je faccio er cucchiao”, (Do ta bëj si garuzhde, (goditjen), - i tha Di Biaxhos, një harkim që zbret lehtë. Mbetet legjenda e Romës dhe ka marrë titullin “Cavalieri Ufficiale Omri” . 33-vjeçari mund të jetë pjesë e Italisë në Botërorin “Afrika e Jugut 2010”. Toti është aktualisht golashënuesi i tetë më i mirë aktiv i Serisë A dhe i 11-ti i të gjitha kohërave në Serinë A me 187 gola në 429 ndeshje me Romën.
Numri i klikimeve - 3840
E Hene, 14 Dhjetor 2009