E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhjetë viktima nga zjarret masive, flakët vijojnë të shkatërrojnë pyje, shtëpi e biznese në Los Angeles

Ka shkuar në 10 numri i viktimave  nga zjarret më të mëdha që kanë përfshirë ndonjëherë Los Anxhelosin në Shtetet e Bashkuara këtë javë.

Vatra më e  madhe  dhe që ka shkrumbuar rreth 20.000 hektarë tokë është ajo në lagjen Palisades.

Flakët kanë shkatërruar  rreth 5300 struktura si biznese, banesa e automjete. Dy zona të tjera të goditura janë Pasadena dhe Altadena  ku rreth 14.000 hektarë tokë janë shkrumbuar duke dëmtuar dhe asgjësuar rreth 4000 objekte.

Një tjetër zjarr ka shpërthyer në kufirin e qarqeve të Los Angeles dhe Venturas, ndërsa një person është arrestuar si shkaktar i tij.

Flakët u përhapën  me shpejtësi pasditen e së enjtes dhe deri më tani kanë djegur 960 hektarë.

Sakaq dhe dy vatra te tjera  kanë shkatërruar rreth 1200 hektarë tokë.

Sipas ekspertëve amerikanë kostot nga zjarret mund të arrijnë deri në 150 miliardë dollarë.

Të paktën 180.000  njerëz janë urdhëruar të evakuohen, ndërsa zjarrëfikësit vijojnë të jenë në luftë me flakët.

Presidenti Joe Biden deklaroi gjatë  një takimi me anëtarë të kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë se ai ka vënë në gatishmëri burime federale dhe ka miratuar fonde shtesë për të ndihmuar Kaliforninë të luftojë me këto zjarre shkatërruese./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›