Trump zyrtarisht i dënuar, ndaj presidentit të zgjedhur nuk do ketë asnjë pasojë ndëshkuese

Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchant vendosi që Presidenti i zgjedhur Donald Trump, të mos vuajë masë dënimi për çështjen e Nju Jorkut.
Kjo do të thotë që Trump është i dënuar zyrtarisht dhe kjo është pjesë e historisë së tij penale, por që nuk do të marrë dënim me burg, ose pasoja të tjera ndëshkuese.
Presidenti zgjedhur dhe avokati i tij morën pjesë në seancën e dënimit online. Donald Trump do të betohet më 20 janar si i vetmi President i Shteteve të Bashkuara me dënim penal.
Trump shfrytëzoi të gjitha mundësitë ligjore për apelim dhe madje kërkoi nga Gjykata e Lartë që të bllokonte dhënien e dënimit lidhur me një nga gjyqet e tij të profilit më të lartë. Por, të enjten vonë, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e tij për shtyrjen e dënimit.
Trump u shpall fajtor nga një juri më 30 maj të vitit 2024 për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për ti mbyllur gojën një aktoreje të filmave pornografikë, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
“Ky ishte një turp”, tha presidenti i zgjedhur amerikan pas përfundimit të këtij gjyqi. Mandati i dytë i Donald Trump fillon të hënën, më 20 janar. /vizionplus.tv