E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma e Avokatisë kundër rregullores së re të GJKKO-së: Kufizohet puna jonë

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshtoi sot rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ndalon përdorimin e telefonave celularë nga avokatët gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, së bashku me drejtuesin e Dhomës së Avokatëve të Tiranës, Klodian Skënderi, kanë depozituar pranë Gjykatës së Posaçme një kërkesë për rishikimin e rregullores.

Pas dorëzimit të kërkesës, ata deklaruan për mediat se kufizimi cenon ushtrimin e profesionit dhe të drejtat e mbrojtjes.

Haxhia tha se kufizimi nuk lidhet vetëm me përdorimin e telefonit për komunikim, por edhe me funksionin e tij si mjet pune për avokatët.

“Kufizon haptas të drejtën e mbrojtjes, për të ushtruar profesionin e avokatit, të paktën prisnim konsultim me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Rregullorja në 3 nene kufizon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit, jo në aspektin për të folur, por për të punuar. Gjë që bie ndesh me stadin e jetës së të gjithë shoqërive në mbarë botën. Celulari është një studio lëvizëse e jona, e kemi mjet pune”, tha Haxhia.

Edhe avokati Klodian Skënderi e cilësoi kufizimin të pajustifikuar.

“Është një masë ekstreme. Nuk gjejmë logjikë apo arsye përse duhet të vendoset ky kufizim për avokatët. Telefoni është mjet pune për ne avokatët. Zhvillohen seanca 6-orëshe, avokati ka nevojë të komunikojë qoftë edhe me familjarët. Kufizim që bie ndesh me të drejtën për të ushtruar profesionin”, tha Skënderi.

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme ka hyrë në fuqi këtë të martë dhe përveç avokatëve, është kundërshtuar edhe nga shoqatat e gazetarëve.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›