E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma e Tregtisë apel: Ndaloni dhunën ndaj bizneseve, autorët të mbajnë përgjegjësi


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, së bashku me disa shoqata të biznesit, ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara në biznese dhe prona private gjatë protestave të dhunshme të dy ditëve të fundit në kryeqytet.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, dënoi aktet e dhunës dhe kërkoi ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës publike e private.

Në reagimin e tyre, Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit theksojnë se asnjë kauzë politike nuk justifikon zjarrvënien, vandalizmin dhe sulmet ndaj bizneseve. Ata i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa parandaluese, ndërsa kërkojnë identifikimin dhe ndëshkimin individual të autorëve të akteve të dhunës.

Organizatat e biznesit u bëjnë gjithashtu thirrje organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen nga dhuna dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve. Sipas tyre, dëmtimi i bizneseve prek jo vetëm sipërmarrësit, por edhe punonjësit, familjet e tyre dhe ekonominë e qytetit.

Në përfundim, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat nënshkruese deklarojnë se mbështesin protestën paqësore dhe lirinë e shprehjes, por kundërshtojnë çdo akt dhune, pavarësisht se nga kush kryhet.

Reagimi i plotë:

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me shoqatat e biznesit si: Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar/KASH, Manifaktura Shqiptare, Albania, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare, shpreh shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, përfshirë sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit.

Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, theksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një vlerë e patjetërsueshme e shoqërisë demokratike. Kjo e drejtë duhet respektuar, garantuar dhe mbrojtur nga institucionet shtetërore. Qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete.

Por asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve. Shkatërrimi i pronës publike dhe private është i papranueshëm dhe duhet të ndalet.

Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike. Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit. Po kështu, dëmtimi i institucioneve dhe i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të përmbushin me vendosmëri detyrimin për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e paprekshmërisë së pronës publike e private. Kërkojmë masa konkrete parandaluese, prani të përshtatshme në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrje në kohë ndaj çdo akti dhune apo shkatërrimi.

Veprimet e policisë duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve, punonjësve të bizneseve dhe vetë efektivëve. Autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës.

U bëjmë thirrje organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen qartë nga çdo akt dhune, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve. Përgjegjësia publike kërkon gjuhë që ul tensionet dhe veprime që parandalojnë përshkallëzimin.

Kërkojmë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për evidentimin e shqetësimeve të biznesit dhe forcimin e masave mbrojtëse.

Sponsorizuar

Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen.

Tirana duhet të jetë një qytet ku qytetarët protestojnë të lirë, institucionet përmbushin detyrën dhe sipërmarrjet ushtrojnë aktivitetin e tyre të sigurta.

Garantimi i këtyre të drejtave njëkohësisht është përgjegjësi e shtetit dhe interes i përbashkët i shoqërisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar

Manifaktura Shqiptare

Shoqata e Ndërtuesve

Shoqata Shqiptare e Turizmit

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ

Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare

Shoqata e Bimëve Medicinale

Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›