E Diel, 1 Nëntor 2026

SONILA MEÇO/ Po çfarë është kjo dhunë ndaj të miturve?

Nga Sonila Meço

Po çfarë është kjo dhunë ndaj të miturve?
Po ç’monstër pushtet dërgon policinë të godasë të miturit? Ja pse u bë i patretshëm gjykimi i protestave përmes akteve të dhunës. Pushteti dhe mbrojtësit e tij kanë humbur çdo të drejtë të japin leksione për dhunën. Sepse nuk ka asnjë ekuivalencë mes një adoleshenti të revoltuar dhe një shteti të armatosur. I pari mund të gabojë, i dyti ka detyrimin ligjor ta mbrojë edhe kur gabon. Një adoleshent që del në rrugë për të kundërshtuar qeverinë nuk është kërcënim për sigurinë kombëtare, por qytetar, të cilit ligji i njeh mbrojtje të posaçme, jo më pak të drejta.

Me sqimatarët e patetikët e pushtetit dhe mbështetësit e tyre u mësuam, janë ata që akuzojnë se këta njerëz nuk mund të sjellin ndryshimin.
Po si mund të garantojë stabilitet demokratik një pushtet që dhunon studentë e të mitur pasi u ka vrarë të ardhmen, që ka kapur institucione, i ka qelbur në korrupsion sistemik, i ka kriminalizuar dhe për të vulosur dhunën sistematike, shtetin e ka shndërruar në xhelat të lirisë e konkurencës? Si mund të pritet më ndryshim pozitiv nga ky antishtet?

Qeveria që ka kontroll të plotë mbi buxhetin, administratën, policinë, mekanizmat e kontrollit, pjesën vendimtare të procesit ligjvënës, ka përgjegjësi institucionale shumë herë më të madhe për dhunën e saj sesa ajo e një turme protestuesish që djegin fasada.

Po cila ndërgjegje e pavarur nga ky pushtet kriminal mund të ngatërrojë institucionin me fasadën e ngrehinën? Institucionet nuk janë mure, dyer e dritare dreqi e mori. Duhet të ishin kufizime të babëzisë së pushtetit, garanci të qytetarit, mekanizma përgjegjësie e llogaridhënieje. Në fakt ishin të shkatërruara ende pa u thyer një xham i vetëm.

Sponsorizuar

Ato xhama, pllaka, kangjella, fasada zëvendësohen brenda ditës. ǒt’i bëjmë rrënimit të tmerrshëm të jetës së shqiptarit? Që i morën shpirtin, pronën, shëndetin, financat, meritën, të ardhmen?

Dhe mandej kërkojnë që viktimat e këtij sistemi të sillen me elegancën që u mungon autorëve të tij?!
Nuk po mbrojnë parimin e mosdhunës, por monopolin e saj. Dhe mbi të gjitha, të drejtën amorale për të vendosur se cila dhunë duhet të na revoltojë dhe cila duhet të na qeverisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›