Dhomat e Tregtisë thirrje qeverisë: Përmirësoni klimën e biznesit përmes reformave gjithëpërfshirëse

Anëtarët e 5 dhomave të tregtisë vijojnë ta rendisin klimën e biznesit si një nga tri sfidat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri dhe besojnë se mjedisi aktual është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm.
Në një deklaratë të përbashkët, Dhoma Amerikane e Tregtisë, ajo gjermane franceze, italiane dhe Confindustria Albania i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike dhe investimesh.
Ata kërkojnë miratimin e një Strategjie Investimi, e cila të përfshijë reduktimin e ndjeshëm të pengesave burokratike, miratimin e një sistemi të bazuar në rregulla për lëshimin e lejeve dhe ngritjen e një sistemi nxitës incentivash, të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Zbatimi i një pakete me qëllim luftën kundër korrupsionit është një tjetër kërkesë e 5 dhomave të tregtisë. Rritja e efikasitetit dhe besueshmërisë së sistemit të Prokurimit Publik, në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike dhe duke ju dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve është një tjetër kërkesë e bizneseve . Dhomat e tregtisë kërkojnë gjithashtu krijimin e një procesi efektiv Konsultimi Publik, që të sigurojë transparencë, Modernizimin e Sistemit të Taksave për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit si dhe aktivizimin e mundshëm te një Këshilli të ri Ekonomik Kombëtar me fokus të veçantë tek investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Në këtë deklaratë të përbashkët, 5 dhomat e tregtisë shprehin gatishmërinë e tyre për të mbështetur qeverinë në këto përpjekje dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/