E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuka: Faza finale e rrugës europiane, sfidë mbyllja e negociatave me rezultate të pakthyeshme

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin me temë “Shqipëria – në fazën e fundit të Rrugës Europiane”, si edhe diskutimin dhe miratimin e Raportit Vjetor të KKIE për vitin 2025 dhe planit të aktiviteteve për vitin 2026.

Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, e cilësoi momentin aktual si një fazë kyçe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pas hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Dhuka vlerësoi progresin e arritur nga institucionet shqiptare, duke përmendur Kuvendin, qeverinë dhe institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK, GJKKO, Prokurorinë e Përgjithshme, gjykatat dhe këshillat e sistemit të drejtësisë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e reformave.

Sipas saj, Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë më të avancuar dhe më kërkuese, që lidhet me përgatitjet teknike, ekonomike dhe shoqërore për transformimin europian dhe mbylljen e negociatave për 33 kapitujt e anëtarësimit.

“Hapja e negociatave për anëtarësim është një shprehje e qartë e vullnetit politik të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare ndaj Shqipërisë”, u shpreh Dhuka.

Ajo theksoi se kjo është faza më e rëndësishme për vendin, pasi synon ndërtimin e institucioneve me standarde europiane, forcimin e drejtësisë, zhvillimin e ekonomisë sipas tregut të BE-së dhe garantimin e të drejtave sipas modelit social europian.

Dhuka nënvizoi se procesi kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, duke e cilësuar këtë të fundit si një faktor të rëndësishëm emancipues dhe transformues në rrugën drejt integrimit.

Ajo e konsideroi hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda 13 muajve si një arritje kombëtare, që dëshmon kalimin e Shqipërisë nga faza e aspiratës europiane në atë të ndërtimit konkret të standardeve të një shteti anëtar të BE-së.

“Kjo është faza ku Shqipëria duhet të provojë se jo vetëm negocion për t’u bërë anëtare e BE-së, por po ndërton çdo ditë standardin e një shteti europian”, deklaroi Dhuka.

Kryenegociatorja theksoi se sfida e radhës për Shqipërinë mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave me dinjitet, cilësi dhe rezultate të pakthyeshme, duke e afruar vendin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, foto: Florian Abazaj 1 nga 13

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›