Hita takim me studentë të Fakultetit të Sigurisë: Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zhvilloi takim me studentë të Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, si dhe me punonjës policie për hetimin e krimit, që trajnohen në Akademinë e Sigurisë, ku theksoi rëndësinë e profesionalizmit, etikës dhe integritetit në shërbim të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij para studentëve, Hita vlerësoi zgjedhjen e tyre për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë, duke e cilësuar si një vendim me përgjegjësi të lartë ndaj vendit dhe shoqërisë.
Ai nënvizoi se rruga e shërbimit në polici kërkon përkushtim, disiplinë dhe ndjenjë të fortë përgjegjësie.
Hita u ndal edhe te standardet e formimit në Akademi, duke theksuar se institucioni është i akredituar nga Ministria e Arsimit dhe funksionon mbi praktika bashkëkohore dhe modele ndërkombëtare, përfshirë kurrikulat e Akademisë së Policisë italiane.
Në mesazhin drejtuar studentëve, Hita vuri theksin te rëndësia e dijes, ruajtjes së integritetit dhe besimit të qytetarëve.
“Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi”, u shpreh ai, ndërsa i inkurajoi studentët të përballojnë çdo sfidë me dinjitet dhe përkushtim.
Më tej, gjatë takimit me punonjësit e policisë në trajnim për hetimin e krimit, Hita theksoi rëndësinë e rritjes së vazhdueshme profesionale dhe përgatitjes së specializuar, si elementë kyç për përmbushjen me efikasitet të detyrave në luftën kundër kriminalitetit.
1 nga 5/gj.m/j.p/r.e/