E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhuna digjitale – Psikologia: Formë e rrezikshme ndaj grave. Koordinatori i dhunës në familje: Të bëhet pjesë e urdhrave të mbrojtjes

Dhuna digjitale po shndërrohet në një prej formave më të rrezikshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke u ushtruar përmes rrjeteve sociale, mesazheve kërcënuese dhe publikimit pa leje të materialeve personale.

Koordinatori i dhunës në familje, Arbi Basho, bën të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 në Pogradec janë lëshuar 43 urdhra mbrojtjeje, ku 20 prej rasteve lidhen pikërisht me dhunën në hapësirat online.

“Është bërë shumë e domosdoshme që ligji për masat kundër dhunës në familje të ndryshojë. Aktualisht jemi në procesin e draftimit të masave kundër dhunës në familje dhe procesit të diskutimit. Janë hedhur shumë ide të mira për ta përmirësuar këtë ligj, ku një nga këta faktorë është dhuna digjitale, të cilën shpresojmë që në të ardhmen, me ndryshimin e ligjit, ta bëjmë pjesë të urdhrave të mbrojtjes,” tha Arbi Basho, Koordinator i Dhunës në Familje në Bashkinë Pogradec.

Psikologia Maria Dojce thekson se dhuna digjitale ushtron një ndikim të rëndë emocional, sidomos mbi vajzat e reja, duke shkaktuar trauma të thella që në raste ekstreme mund të çojnë edhe drejt pasojave tragjike.

“...sidomos te vajzat, duke qenë se është edhe opinioni, çështja e moralit, imazhi në pikëpyetje; vazhdimësia e jetës te vajzat mund të çojë edhe në fatalitet. Vajzat nuk e përballojnë dot presionin; është presion që i shkatërron psikologjikisht. Por edhe te djemtë shohim se agresioni virtual është bërë shumë agresiv”, tha psikologia.

Specialistët ngrenë nevojën për ndryshime ligjore dhe rritje të ndërgjegjësimit publik për sigurinë në internet, pasi format e dhunës digjitale po rriten me shpejtësi dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›