E Diel, 1 Nëntor 2026

“E jona Shqipëria”, nxënësit e shkollës “Onufri” performancë emocionuese në teatrin “Skampa”

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Teatri “Skampa” në Elbasan u mbush me muzikë dhe emocione në mbrëmjen artistike “E jona Shqipëria”, organizuar nga nxënësit e shkollës artistike “Onufri”.

Të rinjtë sollën për publikun një koncert vokalo-instrumental dhe një ekspozitë pikture, të përgatitura me pasion dhe përkushtim, duke vënë në qendër talentin dhe krijimtarinë e tyre.

Në aktivitet morën pjesë nënkryetarja e bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika, kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, drejtoresha e ZVA Elbasan, Vesa Liço, si dhe deputetja Aulona Bylykbashi, të cilat vlerësuan punën e nxënësve dhe stafit pedagogjik të shkollës “Onufri”, si një shembull të mirë të edukimit përmes artit dhe promovimit të vlerave kombëtare.

Nën ngjyrat kuq e zi, atmosfera në sallë u shndërrua në një festë të vërtetë arti dhe krenarie kombëtare.

Interpretimet muzikore dhe veprat e artit pamor sollën për publikun mesazhe atdhedashurie, duke reflektuar energjinë, ndjeshmërinë dhe vizionin e brezit të ri për Shqipërinë.

Aktiviteti ishte pjesë e kalendarit të ngjarjeve që po organizohen në të gjitha shkollat e qytetit në kuadër të Festave të Nëntorit, duke e kthyer këtë periudhë në një moment të rëndësishëm reflektimi, uniteti dhe frymëzimi.

Mbrëmja “E jona Shqipëria” rikujtoi se sa e bukur dhe e gjallë është Shqipëria kur shihet përmes syve dhe talenteve të të rinjve, të cilët me krijimtarinë e tyre i japin jetë simboleve dhe vlerave kombëtare.

1 nga 6

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›