Dhuna mes të rinjve, një fenomen shqetësues për shoqërinë

Shtimi i rasteve të dhunës dhe konflikteve mes të rinjve po kthehet në një fenomen shqetësues në vend.
Specialistët theksojnë se faktorët që ndikojnë janë të shumtë, por thelbësore mbetet mungesa e komunikimit të shëndetshëm brenda familjes.
“Një nga shqetësimet kryesore për mua është nevoja që familja të jetë e bashkuar dhe të ketë një komunikim sa më të hapur, transparent dhe të ngushtë me njëri-tjetrin,” shprehet Albert Cepi, një punonjës social.
Ajo që bie në sy është ulja e moshës së të rinjve që shfaqin sjellje agresive.
“Patjetër që zhvillimi [i tyre] hormonal është gjithmonë në rritje dhe faza e pubertetit është duke kaluar akoma më afër. Nëse më parë shikonim 13 [vjeç] e lart, tani mund të fillojnë edhe pak më shpejt,” thotë z. Cepi.
Ekspertët u bëjnë thirrje të rinjve të kërkojnë ndihmë pranë specialistëve dhe institucioneve përgjegjëse, sa herë që e ndiejnë të pamundur menaxhimin e situatave konfliktuale.
“Nëse është një emocion i pakontrolluar, nëse është një zemërim ku nuk di ku ta nxjerrësh dhe nëse është një nevojë komunikimi për ta shprehur veten, ka një vend të mirë ku mund të vijnë, qoftë para punonjësit social ose pranë psikologëve,” këshillon z. Cepi.
Fenomeni i dhunës mes të rinjve mbetet një kambanë alarmi për shoqërinë, që kërkon vëmendje të shtuar dhe masa parandaluese.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/