E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunë pas protestës te KQZ, vëllezërit Marku: Na rrahën policët

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 21-05-2011 14:54

Tiranë Dy vëllezër, pjesëmarrës në protestën përballë KQZ-së, kanë përfunduar në spital me plagë të rënda në trup. Urim dhe Shpëtim Marku kanë akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë ndaj tyre, larg ambienteve të KQZ-së, ndërkohë që policia e Tiranës i ka arrestuar ata për ushtrim dhune ndaj punonjësve në krye të detyrës. “Ishim duke ikur në shtëpi. Ndaluam te Ministria e Drejtësisë për të blerë disa ilaçe për vëllanë dhe më pas hipëm në makinë. Aty erdhën tre “Iveko” dhe 2 makina private të forcave speciale. Na kanë zbritur në tokë nga makina dhe na kanë dhunuar fizikisht. Na gjuajtën me armë, me shkopinj gome, me grushta, me shqelma”, - ka pohuar njëri prej vëllezërve Marku për mediat, gjatë kohës që po kurohej në spitalin ushtarak. Gjatë ditës së djeshme, Partia Socialiste ka denoncuar dhunën e policisë ndaj simpatizantëve të saj. Me anë të një njoftimi për shtyp, kjo parti bën të ditur se dy vëllezërit Marku janë dhunuar barbarisht nga ana e policisë në momentin e arrestimit. Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, deklaroi dje gjatë mitingut para KQZ-së, se dy vëllezërit Urim dhe Shpëtim Marku janë dhunuar barbarisht vetëm pse kanë qenë dje në protestën e opozitës. Ai u shpreh se ata janë ndaluar pa bërë asnjë shkelje ligjore. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vizituar në spital dy vëllezërit Marku, ku ka parë nga afër gjendjen e tyre shëndetësore. Pas akuzave të ardhura nga ana e Partisë Socialiste, Policia e Tiranës, me anë të një reagimi të lexuar nga ana e zëdhënëses për shtyp, Alma Katragjini, bën të ditur se po kryhen verifikimet e nevojshme për sqarimin e faktit nëse punonjësit e policisë kanë kryer shkelje të disiplinës. “Në lidhje me njoftimin e bërë ditën e sotme, ku gjatë përplasjes fizike me forcat e policisë janë dëmtuar dy shtetas dhe po ashtu edhe punonjësit e policisë, nga drejtuesit e Policisë së Tiranës po kryhen verifikimet e nevojshme për sqarimin e faktit nëse punonjësit e policisë kanë kryer shkelje të disiplinës, sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit. Nga Shërbimi Qendror i Kontrollit të Brendshëm kanë filluar hetimet për veprimet e punonjësve të policisë përgjatë ushtrimit të detyrës si dhe sqarimin e mëtejshëm të rrethanave nëse ka elemente për veprime të dhunshme të punonjësve të policisë” – deklaroi Katragjini. Në fund të deklaratës së saj, Policia e Tiranës i bëri dhe një herë thirrje drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste dhe deputetëve të këtij subjekti, që të mos inkurajojnë tubuesit dhe pjesëmarrësit në tubim që të kryejnë akte dhune dhe goditje ndaj forcave të policisë, të cilët janë me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më herët, policia e Tiranës kishte lajmëruar arrestimin e dy vëllezërve Marku, të cilët akuzohen për kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë në krye të detyrës dhe fyerjes së punonjësve të policisë. Hetimet për këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila pritet të zbardhë të vërtetën e dhunës së dy vëllezërve Marku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›