E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet dhe aksi kombëtar Gjirokastër-Tepelenë

Gjirokastër Rreth orës 16.15 të së premtes anëtarë dhe mbështetës të Partisë Socialiste kanë bllokuar sërish qarkullimin e automjeteve në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë. Sipas organizatorëve të këtij bllokimi të përsëritur të rrugës kombëtare, ky veprim ndërmerret sërish në shenjë proteste karshi manipulimit të votave nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Krahas bllokimit të rrugës, protestuesit kanë djegur edhe goma makinash. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 14 persona, të cilët dyshohet se janë organizatorë dhe pjesëmarrës në ngjarjet e bllokimit të rrugës kombëtare Mallakastër-Tepelenë-Gjirokastër, pasditen e së enjtes. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, bëhet fjalë për nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë për gjashtë persona nga Tepelena dhe tetë persona nga Gjirokastra, për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “prishje e qetësisë publike”. Ata dyshohet se gjatë protestave pasditen e së mërkurës kanë bllokuar për disa orë qarkullimin e automjeteve në segmentin e rrugës kombëtare në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe Gjirokastrës. Dhjetëra simpatizantë të Partisë Socialiste, të degës së kësaj force në Sarandë, kanë zhvilluar protestën e paralajmëruar, ndërsa turma është drejtuar në Qafën e Muzinës, për t’u tubuar në mbrojtje të votës së lirë. Sipas Gjergj Mërkurit, kryetar i PS-së rrethi Sarandë, janë rreth 300 simpatizantë socialistë nga rrethi i Sarandës që janë nisur në Qafë të Muzinës për t’u tubuar në mbrojtje të votës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›