E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunon të ëmën, ndalohet 17-vjeçari

KORÇË/ Adoleshenti është kthyer në shtëpi në mbrëmje dhe ka qëlluar të ëmën e më pas e ka rrahur


Burime nga policia u shprehën se djaloshi kishte rreth 6 javë që kishte dalë nga burgu pas dënimit për vjedhje


KORÇË- Dhuna në familje duket se nuk ka të ndalur në Shqipëri, teksa këtij fenomeni për fat të keq nuk i ka shpëtuar as rajoni juglindor i vendit. Shifrat zyrtare tregojnë se vetëm gjatë muajit të kaluar, denoncimet për dhunën në familje mes të afërmve kanë qenë plot shtatë të tilla. Por ngjarja e fundit duket se është dhe më e rënda.


Një adoleshent ka goditur dhe rrahur nënën e tij, e megjithatë ky nuk ishte rasti i parë për të. Burimet zyrtare të policisë së Korçës bënë të ditur se 17-vjeçari me precedentë penalë është ndaluar e më pas është lënë i lirë, ndërkohë që ndaj tij janë ngritur akuzat e "pengimit të ekzekutimit të vendimit penal" dhe "dëmtime të tjera me dashje".


Ngjarja


Burimet nga policia bënë të ditur se më 30 korrik 2010, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur nxjerrjen e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për shtetasen 39-vjeçare B.Zeqo. Kërkesa ishte bërë nga vetë gruaja e cila kishte kërkuar ndihmë pas dhunës që ushtronte mbi të i biri, i cili rreth 6 javë më parë kishte dalë nga burgu, pas kryerjes së dënimit për "vjedhje". Mësohet se pas kësaj gjykata ka urdhëruar 17-vjeçarin që të mos rrihte të ëmën.


Gjithsesi, edhe pas vendimit, djaloshi ka vijuar të qëndrojë në të njëjtën shtëpi me të ëmën. Gjatë kësaj kohe, ditën e mërkurë në mbrëmje, teksa është kthyer në shtëpi, djaloshi është grindur me nënën e tij 39-vjeçare dhe më pas e ka goditur dhe rrahur.


Gruaja, banore në Lagjen 6 të qytetit të Korçës, ka njoftuar uniformat blu, të cilat pas marrjes së njoftimit kanë mbërritur në vendngjarje, duke ndaluar të riun tashmë të njohur prej tyre.


Policia


Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se "filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. Z, 17 vjeç, i dënuar më parë për "vjedhje" sepse ka goditur dhe rrahur për motive të dobëta shtetasen B.Zeqo, 39 vjeçe, banore e lagjes nr.5, në Korçë, për të cilën më 30.07.2010 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë është nxjerrë Urdhër i Menjëhershëm i Mbrojtjes".


Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se dyshohet se i riu ishte edhe përdorues droge dhe se sherri në mbrëmje ka qenë pikërisht pas kërkesës që ai i ka bërë të ëmës për t'i siguruar para.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›