Dollani: Të shkruhet muzika folk
Muzikanti Genti Dollani tregon si u ngrit edicioni i parë "Një mbi një tinguj", me program pjesërisht shqiptar dhe me buxhet të institucioneve franceze. Pak për jetën artistike në Bordo, aktivitetin me kuartetin dhe orkestrën
Muzikanti shqiptar Genti Dollani ka ftuar në qytetin e lindjes, Berat, miqtë e kuartetit "Appassionati" ku ai bën pjesë dhe Ansamblin Orkestral Marcillac të Francës, që e drejton prej 7 vitesh.
Festivali "Një mbi një tinguj" nuk gëzon larminë e grupeve muzikore, por sjell në Pallatin e Kulturës mbi 40 instrumentistë. Aktiviteti u hap mbrëmë me pjesë klasike nga Mozart, Brahms, Piazzolla, Albinoni dhe muzikë klezmer të interpretuar nga kuarteti "Appassionati".
Genti thotë se pasioni e ka bashkuar me tre djemtë e tjerë të grupit: Matthieu Luçon, Aurélien Cesscousse dhe Gilles Vernet. Kuarteti mban 14 koncerte në vit në sallat e Bordosë dhe ka në repertorin e tij muzikë klasike, muzikë nga Evropa Perëndimore dhe Afrika e Jugut.
Sonte, në natën e dytë, luan për publikun beratas Ansambli Orkestral të Marcillac (Francë). Programi ka pjesë nga Puchedu, Morricone, Ray Charles dhe muzikë klezmer.
Për të qenë më afër publikut vendas, Dollani ka zgjedhur tri pjesë shqiptare, tri valle nga Shqipëria e Mesme, e Veriut dhe e Jugut.
Muzikanti shqiptare, 32 vjeç, drejton prej 7 vitesh një orkestër me 90 vjet histori, Ansambli Orkestral i Marsijakut. Ndihet i kënaqur me projektet që ka realizuar deri tani, projekte që kërkonin "investim në kohë, në punë, në njerëz". "Kjo tregon se vizioni nuk ka qenë i gabuar", shprehet Genti, i cili që pas mbarimit të Akademisë së Arteve në Tiranë e ka lidhur jetën me kuartetin, me orkestrën, me mësimet e klarinetës, me Bordonë, me Francën.
Hera-herës ia ka ënda të marr ca emocione shqiptare.
Ai është optimist se festivali do të kthehet në një traditë për Beratin dhe në vitet e tjera mendohet të marrin pjesë më shumë instrumentistë shqiptarë. Këtë vit në "Një mbi një tinguj" mori pjesë klarinetisti kosovar Blerim Emerllahu dhe një nxënës nga Shkolla e Muzikës në Berat.
Genti përse zgjodhe Beratin për të mbajtur koncertin "Një mbi një tinguj"? Çfarë të lidh me këtë qytet?
Është qyteti ku kam lindur, ku kam filluar të bëj muzikë qysh kur isha 10 vjeç. Kthehem pas dy vitesh me idenë për të krijuar një festival për të rinjtë dhe për vendasit. Dëshira e mirë është që festivali të kthehet në traditë për qytetin në muaj e verës. Në këtë kohë, muzikantët që kam ftuar janë të lirë për të organizuar aktivitete jashtë Francës. Mendova ta ftoj në Shqipëri kuartetin e klarinetave "Appassionati" dhe Ansamblin Orkestral Marcillah për dy arsye: të njohin kulturën shqiptare dhe t'i ofrojnë publikut të këtij qyteti muzikë cilësore.
Të paktë janë muzikantët apo organizatorët e festivaleve që kthejnë kokën te ky qytet.
Për mendimin tim, ky qytet ofron shumë mundësi. Gjatë verës ai mund të shërbejë si qytet turistik, ashtu si edhe të gjithë qytetet që bëjnë pjesë në UNESCO. Berati i ka të gjitha mundësitë për t'i ofruar një shëtitje të bukur turistike të gjithë pushuesve dhe turistëve të huaj. Meriton jetë kulturore më të gjallë.
Tri institucione franceze kanë mbuluar pothuaj gjithë shpenzimet e koncertit. Si shpjegohet një vëmendje e tillë?
Të them të drejtën nuk ishte e lehtë të merrnim aprovimin e financimit të koncertit. Motivimi i muzikantëve dhe imi bënë që politikat e administratës së Orkestrës të ndryshonin. Pala franceze dha 18.000 euro për organizimin e koncertit, kurse akomodimi dhe ambientet u siguruan nga Bashkia e Beratit.
Mund të jetë edhe një "detyrim moral" ndaj drejtorit të Orkestrës, që po kërkonte të çonte orkestrën në vendin tim të lindjes. Duke parë më pas edhe interesimin e muzikantëve të tjerë, administrata e Orkestrës vendosi të zhvillohej ky turne.
Një pjesë e mirë e programit i kushtohet folkut shqiptar, hungarez, izraelit.
Në program janë kryesisht pjesë klasike. Janë edhe tri pjesë popullore shqiptare të përshtatura për orkestër si: "Qenke veshur me të bardha" dhe dy valle të tjera, njëra e Shqipërisë së Mesme dhe tjetra e Shqipërisë së Veriut. Në koncert luhet një pjesë popullore hungareze "Duke përshkruar Hungarinë" dhe një izraelite (klezmer)
"Fantazi hebreje". Muzika klezmer ngjan në melodi dhe në ritëm me muzikën popullore shqiptare. Pjesët shqiptare i zgjodha për t'iu përshtatur shijes së spektatorëve.
Cilat pjesë shqiptare shfrytëzon si burim për t'i futur herë pas here në repertorin e Orkestrës së Marsijakut?
Kam punuar me kompozitorin belg Yves Boyllot, për të realizuar një përshtatje sa më origjinale dhe pjesët të tingëllonin për Orkestër. Materialet që shfrytëzoj janë audio. Kam një kasetë me muzikë popullore që nga koha kur kam qenë student në Shqipëri.
Kurse materiale të muzikës popullore nuk kam gjetur dot. Kompozitorë që përshtasin muzikën popullore për orkestër nuk ka, ose të paktën unë nuk kam gjetur dhe më vjen keq për këtë. Materialin që shkrova e bëra për të njohur muzikën shqiptare në Francë.
Të them të drejtën nuk besoj se do të vazhdoj ta bëj gjatë këtë. Është një punë që vetëm kompozitorët janë të aftë ta bëjnë. I bëj një thirrje kompozitorëve shqiptarë që të gjejnë kohën për të shkruar pjesë të tilla sepse muzika shqiptare është e përshtatshme edhe për t'u luajtur nga orkestrat.
Prej 7 vitesh drejton një orkestër me një traditë muzikore 90-vjeçare. Përse ta besuan drejtimin e saj?
As vetë nuk e di përse ma besuan. Mund të them vetëm se çfarë vlerësojnë tani tek unë. Më kishin dëgjuar në disa koncerte ku interpretoja dhe më zgjodhën të drejtoja
Ansamblin Orkestral të Marsijakut. Fillimisht nuk kisha shumë besim sepse nuk ishte profili im dhe nuk kam besuar se do të më jepej mundësia të interpretoja ndonjëherë në ndonjë orkestër. Puna me orkestrën është ndryshe nga ajo e një instrumentisti. Instrumenti me të cilin punoj nuk është më vetëm klarineta, por është një instrument me 40 vetë. Përveç kompetencave muzikore, për ta drejtuar orkestrën duhet diplomaci.
Si klarinetist bëja rrugë të gjatë në të cilën përpiqesha të mundja anët jo perfekte të instrumentit dhe të vetes. Të njëjtën gjë bëj edhe me orkestrën. Vetëm se tani kam përgjegjësinë e 50 vetëve.
Po kuarteti "Appassionati" është një mënyrë për t'u kthyer te vetja?
Pasioni që kishim për të bërë muzikë, na mblodhi bashkë, mua dhe tri muzikantët e tjerë Matthieu Luçon, Aurélien Cesscousse dhe Gilles Vernet.
Klarineta vazhdon të mbetet pasioni im. E ndjej të nevojshme të studioj, të luaj, të punoj me të. Më merr gjysmën e kohës sime. Puna me instrumentin është si higjiena e çdo dite. Bashkë me "Apassionati" realizojmë 14 koncerte në vit në skenat franceze.
Po aq realizojmë edhe me Ansamblin.
Në koncertin tuaj merr pjesë vetëm një muzikant shqiptar. A do të shihet mundësia e zgjerimit të këtij rrethi në edicionet e tjera, nëse do të ketë?
Në këtë edicion të parë shumë muzikantë kanë ardhur të dëgjojnë. Ftova të luante me kuartetin klarinetistin nga Kosova, po ashtu edhe një klarinetist nga shkolla e muzikës së qytetit të Beratit. Besoj se do të kem më tepër nevojë në edicionet e ardhshme. Herën tjetër do të ftoj më shumë.