E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunuan kundërshtarët para ndeshjes në Fushë Krujë, nën hetim tre futbollistët e skuadrës “Iliria”

Tre futbollistë të skuadrës “Iliria” në Fushë Krujë janë vënë nën hetim nga policia, pasi akuzohen se kanë dhunuar futbollistët e ekipit kundërshtar në dhomat e zhveshjes, pak para fillimit të ndeshjes së planifikuar “Iliria–Skënderbeu”.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, dhe si pasojë e incidentit fizik ka mbetur i dëmtuar futbollisti S. N.

Në hetim janë marrë tre lojtarët e ekipit “Iliria” A. S., B. S. Dhe J. S.

Për shkak të dhunës së ushtruar dhe situatës së krijuar, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të anulojë ndeshjen, duke argumentuar se nuk ishin të garantuara kushtet e sigurisë për zhvillimin e takimit.

Për incidentin e rëndë kanë reaguar ekskluzivisht për RTSH edhe përfaqësuesit e të dy skuadrave.

Drejtori sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjanci, e cilësoi dhunën në dhomat e zhveshjes si një ngjarje të paprecedentë, duke kërkuar dënimin e autorëve dhe masa të forta disiplinore për parandalimin e rasteve të tilla në futbollin shqiptar.

Nga ana tjetër, presidenti i Ilirisë, Nazmi Selmani, u shpreh se futbollistët e tij janë provokuar, duke theksuar se ngjarja nuk përfaqëson frymën e klubit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›