Dhurim gjaku për të nderuar Nënë Terezën, hungarezët dhe shqiptarët bëhen bashkë në bamirësi

Dhurim gjaku për të shpërndarë shpresë dhe dashuri. Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, ambasada hungareze ne Tiranë, përfshiu në javën e saj të kulturës edhe disa orë bamirësi për të nderuar trashëgiminë shpirtërore të shenjtores në emër të dy popujve tanë, Shqipërisë dhe Hungarisë.
Hungaria në javën e saj kulturore dhe Shqipëria në ditën e saj të veçantë të shenjtërimit të nënë Terezës, u takuan bashkë në një akt humanitar të dhurimit vullnetar të gjakut , duke përkujtuar kështu edhe ditën ndërkombëtare të bamirësisë, e cila duke qenë në zanafillë një iniciative hungareze, u miratua si e tillë nga Asambleja e Kombeve të Bashkuar .
“5 shtatori është shumë i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo në botë që lidhet me shenjtërimin e personalitetit më të shquar në botë Nënë Tereza. Ne hungarezët kemi një pjesë të vogël , që sot festojmë ditën ndërkombëtare të bamirësisë. Vendosja e kësaj date si ditë ndërkombëtare të bamirësisë ka qenë një ide e Hungarisë dhe ambasadorit të saj kur filloi kjo iniciativë në Kombet e Bashkuara , më shumë se 10 vite më parë. Kështu që ideja ime dhe e kolegëve të mi ishte që të organizonim këtë dhurim vullnetar të gjakut që lidh shqiptarët me hungarezët jo vetëm në aspektin e kulturës por edhe në atë të bamirësisë”, u shpreh Zv.ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, Adam Lovassy.
Dhurimet e gjakut shërbyen edhe si një nderim për trashëgiminë e paharrueshme të Nënë Terezës e cila u përpoq të përhapë shpresë dhe dashuri.
/RTSH/