E Diel, 1 Nëntor 2026

Dializa nga privat në privat, tender 49 milionë euro për 4 vjet

Dializa nga privat në privat, tender 49 milionë euro për 4 vjet

Vetëm pak javë pasi qeveria njoftoi marrjen nën kontroll të shërbimit të dializës pas përfundimit të koncesionit 10-vjeçar, shërbimi pritet të rikthehet te operatorët privatë përmes një procedure prokurimi.

Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit ka parashikuar një tender me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë, ose afërsisht 49 milionë euro, për ofrimin e shërbimit të dializës në pesë spitale publike.

Sipas të dhënave të publikuara në regjistrin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, kontrata parashikohet të ketë një kohëzgjatje prej katër vitesh dhe të përfshijë spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Vendimi vjen pasi në fund të korrikut qeveria njoftoi se shërbimi i dializës, së bashku me atë të check-up-it, do të merrej në dorëzim nga shteti pas përfundimit të koncesioneve.

“Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti”, deklaroi atëherë ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala.

Megjithatë, procedura e re e parashikuar nga Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit tregon se ofrimi i dializës do të vijojë të mbështetet te një operator privat, i cili do të përzgjidhet përmes tenderit dhe do ta ofrojë shërbimin për katër vitet e ardhshme.

Kontrata e re, me vlerë rreth 49 milionë euro, pritet të mbulojë shërbimin për pacientët që marrin trajtim dialize në pesë spitalet publike të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›