Dialogu politik, Topi takon Lohan, Montobbio e Withers

Ende asnjë prej liderëve të maxhorancës apo opozitës nuk kanë zhvilluar asnjë takim me Presidentin e Republikës, ndërkohë që të vetmit që takojnë të gjithë aktorët e skenës politike janë ambasadorët.
Ndërsa pritej që kreu i shtetit shqiptar të zhvillonte takime të ndara me kryeministrin Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama, selinë e Presidencës paraditen e se hënës e kanë vizituar vetëm ambasadorët.
Rreth ores 11.35 minuta në Presidencë kanë mbërritur ambasadori i Spanjës, vend i cili ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Manuel Montobbio dhe ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan. Pas ambasadorëve Montobbio dhe Lohan, presidenti Topi ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers.
Edhe pse takimet kanë qenë të mbyllura për median, kriza politike dhe nisja e negociatave mes maxhorancës dhe opozitës në tryezën e presidentit kanë qenë në qendër të takimeve.
Rreth një javë ambasadorët Lohan dhe Montobbio kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Berisha dhe ambasadori Withers ka zhvilluar një takim me kreun e PS-së Rama, takime që patën si produkt pranimin nga palët që negociatori të jetë kreu i shtetit, Topi.
Por megjithë takimet dhe presionin e faktorit ndërkombëtar, ende nuk është zhvilluar asnjë takim në selinë e Presidencës dhe zgjidhja e krizës duket e largët, pasi maxhoranca dhe opozita gjatë ditëve të fundit kanë ashpërsuar edhe tonet për kushtet mbi të cilat do të negociojnë.
Në një njoftim të zyrës së shtypit të presidencës theksohet se në këto takime, u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të Kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve të Bashkimit Evropian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri.
Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e Presidentit Topi, në përpjekje për t'i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar thuhet më tepër në deklaratë.