Zgjidhja e krizës politike, PS: Berisha të ulet pa kushte absurde në tryezë
"Themelet e shtetit po tronditen rëndë si pasojë e keqqeverisjes së këtij kryeministri e kësaj maxhorance. Kriza të shumëfishta e të njëpasnjëshme po cënojnë rendin demokratik dhe shoqëror në vend". Me këtë konstatim doli sot para medias deputeti socialist Saimir Tahiri. "Qeverisja është katandisur në një togë kapterrash e mercenarësh që në rresht për një përsërisin shefin, kur nuk u duhet të bëjnë punët private për të zhvatur e vjedhur ngastrën e tyre të pasurisë publike. Parlamenti është kthyer në një kapanon rezervistësh, në gatishmëri për të sulmuar opozitën, e jo për t'i dhënë frymëmarrje jetës publike me debat e nisma ligjore që zgjidhin hallet e qytetarëve", theksoi Tahiri. Ai këmbënguli se kartëvizita e korrupsionit mban emrat e ministrave në detyrë, të cilët Sali Berisha ia shet shqiptarëve si ambjentalistë, reformatorë, pionierë të integrimit evropian, e plot grada të tjera që fshehin xhepat plot të ministrave e qeveritarëve.
PS këmbëngul se zgjidhja më e mirë për interesin madhor të qytetarëve është rivendosja e demokracisë, duke rikthyer besimin e publikut se në këtë vend ekzistojnë të gjitha mundësitë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, proces që fillon me transparencën e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 Qershorit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen. "Vetë tryeza e dialogut, të cilën Sali Berisha vazhdon ta anashkalojë me pretekste që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë as me Kushtetutën e as me Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk zgjidh përfundimisht as krizën e demokracisë e shtetit ligjor,
as krizën institucionale e as krizën ekonomike, por vetëm i hap rrugë zgjidhjespërfundimtare duke vendosur në themel garantimin e votës së lirë. Tashmë në fund të karrierës së tij politike, i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha të lërë xhirot e dimrit e lojërat me topa bore, të ulet pa kushte absurde në tryezën e dialogut e të bëjë gjithçka është e mundur për t'i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale, krizës së demokracisë e shtetit të së drejtës, si dhe krizës ekonomike e sociale që po mbyt shqiptarët dhe sipërmarrjen private", insistoi Tahiri.