Dibër, kërcënoi karburantin dhe kërkoi 50 mijë euro

Një 21-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se vendosi një kuti të dyshimtë në ambientet e një karburanti dhe kërcënoi me shpërthimin e saj nëse nuk paguhej shuma prej 50 mijë eurosh.
Policia bëri të ditur se ngjarja u zbardh brenda pak orësh, në kuadër të operacionit të koduar “Kërcënimi”, të finalizuar më 2 tetor 2026 nga Komisariati i Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale të DVP Dibër.
Në pranga u vu shtetasi Engjell Karoshi 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Sipas hetimeve, rreth orës 14:30, i riu dyshohet se vendosi një kuti në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh. Mbi kuti ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Pranë pajisjes ishte lënë edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove, në formën e një gjobe. Shuma duhej të paguhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi, në adresën e përcaktuar nga autori i dyshuar.
Në letër, ai kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të caktuar, nëse pajisja lëvizte ose nëse njoftohej Policia apo persona të tjerë.
Sponsorizuar
Sipas Policisë, në mesazhin kërcënues pretendohej se kutia përmbante lëndë plasëse C4, se ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim, si dhe se ambienti monitorohej me kamera.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se ajo nuk përmbante lëndë shpërthyese.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.