E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibranët i dhanë kësulën Berishës!

Nga Ulsi Manja

 
Bejtet patriotike që recitoi në Kosovë dhe tharrja e fytit nga greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë në Tiranë, ja kishin mekur disi zërin, por kjo nuk e pengoi Berishën të vraponte për në Dibër me shpresën se demagogjia e tij politike e ditëve të fundit do të ngjiste edhe në Dibër.

Sejmenët dhe anti-dibranët e pushtetit të tij në Dibër, për të siguruar pjesëmarjen dhe për të mos dështuar me turp ishin kujdesur që Berisha me një rrugë të kryente tre punë: të priste shiritin e rikonstruksionit të Filialit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” -Peshkopi, të vizitonte panairin e agro-biznesit të fermerëve dibranë, si dhe të uronte festivalin folklorik të ODES DIBRANE që zhvillohet tradicionalisht në këtë qytet me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

Megjithëse ishin marrë të gjitha këto masa organizative, vizita e tij në Dibër qe një dështim i turpshëm. Berishën në Dibër e pritën grupet e festivalistëve, miq që ishin tubuar në këtë eveniment muzikor, si dhe të gjithë punonjësit e administratës lokale që drejtohet nga pushtetarët e koalicionit qeverisës.

Edhe pse dita e shtunë u bë kasten mësim për shkollat e mesme të qytetit, vizita e tij në Dibër u abandonua nga nxënësit e shkollave dhe qytetarët e Peshkopisë.

Ky qëndrim indiferent i shkollarisë dhe i qytetarisë dibrane ka arsye mirfilli mençurie, sedre dhe krenarie historike që do t’i rendis shkurt më poshtë.

Berisha në Dibër mbajti një fjalim ku foli përçart për integrimin, statusin, bllokimin, karriget bosh të opozitës në parlament, për investimet në bujqësi dhe mbështetjen financiare të fermerëve dibranë dhe nuk harroi të betohej si para zotit se Rruga e Arbërit do të mbarojë në afatin më të shkurtër dhe se kjo rrugë është ëndërra e tij, pas rrugës së kombit.
A thua vallë ta kenë besuar dibranët Berishën në marrëzinë e tij folklorike dhe demagogjike ?

Kot u lodhe zoti Berisha deri në Dibër, sepse dibranët jo vetëm që nuk të besojnë më, por u dhembin sytë kur të shikojnë dhe këtë rradhë i ke fyer edhe në sedër.

U fole për integrimin në Europë, ndërkohë që dibranët i ke larguar përditë e më shumë me Tiranën, sepse rruga Tiranë -Peshkopi u ngjan rrugëve të bombarduara të Sirisë dhe është bërë e pakalueshme për asnjë lloj mjeti tjetër përveç kamionëve me krom kontrabandë.

Ti sot erdhe me helikopter në Dibër, ndërsa shpura e makinave të eskortës tënde erdhi nga aksi i rrugës Kukës -Peshkopi. Kjo i ka fyer rëndë dibranët në krenarinë dhe historinë e tyre, sepse edhe kur nuk ka patur rrugë nacionale, ata kanë shkuar me këmbë në Tiranë, por kurrë nga Kukësi apo Librazhdi.

Zoti Berisha ngulite mirë në kokën tënde të mplakur, se rruga e dibranëve për të ardhur në Tiranë nuk ka për të kaluar kurrë nga Kukësi apo Librazhdi dhe se ju nuk keni këllqe të ndryshoni rrugën tonë drejt Tiranës, sepse atë e kemi shkelur me gjak përgjatë historisë dhe kontributit tonë për kombin.

U fole dibranëve për investimet e mëdha që qeveria juaj paska bërë gjasme për fermerët dibranë ndërkohë që qyteti i Peshkopisë për turp të zotit ka më se tre muaj që vuan nga etja e ujit, edhe pse rrethohemi nga të katër anët me burime të panumërta uji të pijshëm dhe fjalimi yt për zhvillimin e vrullshëm të Dibrës u është dukur si lajthitja e rradhës.

U rri…..premtove rrugën e Arbrit si projektin tënd më të madh pas rrugës së kombit, por harrove tu thuash se pse i devijove fondet e rrugës së Arbërit drejt tunelit të Elbasanit dhe TEG-ut tënd të korrupsionit.

Shëtite si hijenë në tezgat e improvizuara të panairit të agro-biznesit dhe në mrekullitë e tua të investimeve për fermëret dibranë pe vetëm lakra dhe mollë, të cilat i hedhin në përrua se nuk kanë treg për t’i shitur, sepse ti Tiranën ua ke bërë 6 orë rrugë.

Preve shiritin e rikonstruksionit të filialit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”-Peshkopi, por nuk ta treguan zemërimin e dibranëve që u ke shembur krenarinë e gjimnazit të dikurshëm, që tashmë e keni çuar në fshatin Dohoshisht dhe gërshërët në dorën tuaj nuk ishin gjë tjetër veçse thika pas shpine që i ngule Dibrës në krenarinë e saj të dijes dhe arsimit.

The dhe premtove shumë gjëra për Dibrën dhe dibranët. Por dibranët pyesin se pse nuk i keni bërë deri tani ato që premtuat sot për Dibrën zoti Berisha, kush ju ka penguar ?

Ju natyrisht keni një përgjigje, por nuk ua mban ta thoni me zë të lartë ndërsa dibranët e kanë marrë vesh me kohë. Ju e urreni Dibrën dhe dibranët zoti Berisha, sepse urreni mençurinë dhe krenarinë e dibranëve dhe ky është virtut i yti prej komunisti të pandreqshëm.

Zoti Berisha, ju kot premtuat dhe u lodhët sot në Dibër, sepse nuk keni për ta patur më shansin të vini në Dibër si Kryminstër .

Më 8 maj Dibra t’i hoqi gjashtë komuna dhe të mbathi opingat ndërsa sot të dhanë kësulën e bardhë bosh .
Se çfarë do të thotë kjo në fjalorin politik të Dibrës, pyet dikë tjetër në Tiranë të ta përkthejë kur të qetësohesh nga trutë e kokës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›