E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialog, si respekt për veten

Presidenti i Republikës, në intervistën e tij tek Ilir Babaramo, si rastësisht tha se “ish-të përndjekurit politikë e bënë burgun e tyre jo duke menduar se do merrnin shpërblime sot, por për hir të demokracisë”. Në të vërtetë, shumë prej tyre e kanë bërë për tentativë arratisjeje ose vepra të tjera minore. Asnjëri prej tyre nuk ka qënë një Solzhenic apo Havel. Vështirë ta kenë menduar ditën që hynin në burg, se një ditë do shpërbleheshin. Ashtu siç askush nuk ua heq të drejtën të dëmshpërblehen, deri sa këtë ua njeh ligji. Por në thënien presidenciale, ka një mesazh të fshehur të cilin presidenti jo pa qëllim ka dashur ta nënkuptojë: Ai i grevistëve si një tufë materialistësh. Ca më konkret është Kryeministri, i cili në vend që të merret me shkaqet e grevës dhe t’i japë zgjidhje asaj në rrugë jo traumatike, zgjedh të vetmen rrugë që di: Karambolin. Dhe këtë e bën nën shprehjen e kujdesit ndaj tyre, kur premton që do forcohen masat e sigurisë, që vetësakrifikimet duke u vetëdjegur me benzinë të mos ndodhin më, dhe të mos u futet benzinë ilegalisht. Në të vërtetë, është një premtim që ua bën kundërshtarëve se, nëse do vazhdojnë protestën e tyre, do t’i ngordhë në mënyrë shembullore, dhe nuk do t’i lërë as të vrasin veten. Shtyhet më tej, duke plotësuar kuadrin materialist të arsyeve të grevës, duke zbuluar se protagonisti i saj, Gjergj Ndreca, ka privatizuar fabrikën e miellit dhe ka marrë kredi për një fermë derrash, të cilën më pas e ka humbur. Ndreca mund ta ketë privatizuar fabrikën, ose është përdorur nga biznesmenë të fuqishëm në hije për ta privatizuar, por aktualisht ka falimentuar ose e kanë nxjerrë jashtë loje; mund të ketë marrë kredi për një aktivitet, dhe më pas ka falimentuar, por asnjëra nga këto nuk ia heq të drejtën të marrë paratë e tij që i takojnë me ligj, për vitet e humbura të jetës. Që nuk është mashtrues për skamjen e tij, kjo nuk do shumë sy për t’u kuptuar.

Ministria e Integrimit, në një intervistë në “Opinion”, pyetjes lidhur me grevistët, i përgjigjej se pamjet e tyre duke marrë flakë, nuk duheshin transmetuar, pasi dëmtonin minorenët që ishin para televizorit në kohën e lajmeve. Si një gazetare në profesion, ajo e di se për pamje të atilla çdo televizion do vinte kokën në rrezik t’i siguronte dhe transmetonte. Ashtu siç e di që emisionet e lajmeve nuk janë ato të preferuarit nga kalamajtë. Por gjithçka është një tentativë për t’i fshehur opinionit situatën dramatike në të cilën ndodhen grevistët dhe hapat e dëshpëruar që ata ndërmarrin, si dhe për të delegjitimuar në të ardhmen organe të masmedias që do japin pamje të tilla nëse do ndodhin në të ardhmen. Nuk do jetë çudi që të dëgjojmë edhe cilësime të tilla si “media kriminale”, apo “nxitëse e dhunës”, me qëllimin e dekurajimit të gazetarëve dhe pronarëve në ndjekjen e lajmit. Dhe kur rastet bëhen tri, nuk mund të mos dyshosh që e gjitha është një operacion i qeverisë i cili ka qëllim të mbysë grevën.

Aktualisht grevistët i kanë përdorur gjithë armët që kanë në dispozicion. Një sakrifikim tjetër, akoma më pak do haste në një interes të publikut, dhe kështu me radhë. Opozita nuk është në gjendje t’i ndihmojë, jo vetëm për shkak të mbartjes së epitetit si trashëgimtare e persekutorëve, por edhe pasi pesha e saj në vendimmarrjen politike është e papërfillshme. Ajo nuk është në gjendje të kërkojë drejtësi për katër të vrarët e 21 janarit, ndaj vështirë se mund t’iu ndodhet në krah grevistëve.

Për sa i takon Sali Berishës, ka në favor të gjitha erërat që fryjnë në velën e tij dhe ia çojnë anijen përpara. Ka kohën me bollëk, e cila tret grevistët me çdo orë që kalon. Ka apatinë e opinionit publik, i cili përveç indiferencës tradicionale që tashmë po kthehet në legjendare, është në luftë të përditshme për mbijetesë ekonomike, gati po aq sa të ngujuarit e urisë. Ka faktorin ndërkombëtar, i cili funksionon mbi bazë të llogarive të ftohta gjeopolitike, dhe i ka harruar prej njëzet vjetësh fjalët si “të drejtat e njeriut” e të tjera slogane që dikur rrëzuan muret. Ka me vete mitin gjithmonë e në ngritje si “i pathyeshëm” në përplasje me kundërshtarët, dhe i “pandëshkueshëm” për çfarëdo që bën. Ndaj nuk do jetë çudi që kjo përplasje të përfundojë me fitoren e tij. Tashmë nuk ka mbetur askush që t’i shpjegojë se greva e urisë si formë proteste, është ftesë për dialog e një të dëshpëruari, dhe jo ftesë për duel; se të dialogohet me ta, është sinjal i njerëzillëkut të shtetit dhe qasjen e makinës shtetërore ndaj të sunduarve të saj. Të gjitha këto, si një kontribut që Shqipëria është europiane jo vetëm me letra, por edhe në mentalitet. Në të kundërt askush prej nesh nuk ka pse kërkon respekt nga të huajt dhe bota. Pasi ne nuk dimë të respektojmë vetveten.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›