E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diçka për veten

“Po të tregoj diçka për veten” fton 30 shkrimtarë të prezantojnë dhe komentojnë fotografitë personale. Në mesin e tyre është edhe shkrimtarja dhe fotografja shqiptare Ornela Vorpsi.

“Po të tregoj diçka për veten” është ekspozita fotografike që prezantohet këto ditë në Palermo në kuadër të konferencës “Përtej kufijve të përfaqësimit”. Marrin pjesë rreth 30 shkrimtarë të cilët janë ftuar që të prezantojnë nga një foto nga albumi i tyre personal. Mes këtyre të ftuarve është edhe shkrimtarja fotografe me origjinë shqiptare Ornela Vorpsi. E lindur në Tiranë në vitin 1968, Vorpsi ka lidhje të forta kulturore me Italinë, jo vetëm se është vendi ku vijoi studimet e Tiranës në Akademinë e Arteve në Brera, por sepse gjuha në të cilën ajo shkruan është italishtja dhe vendi që boton premierë prozën e saj – me nga një libërth për çdo vit te “Einaudi” (Vendi ku nuk vdiset kurrë, Dora që nuk e kafshon, Dashuri e çmendur etj.) Pavarësisht se jeton në Paris prej vitit 1997.

Kështu që e natyrshme është që çfarë ka të bëjë me Vorpsin dhe me prirjet e saj ekzibicioniste të tregohen më së pari në këtë vend.

Pjesëmarrësit janë ftuar që të prezantojnë një imazh fotografik që i përket kutisë së tyre të kujtimeve dhe ta komentojnë në mënyrë poetike ose ta shoqërojnë me një diçiturë të thjeshtë.

Organizatorët kanë mbetur të kënaqur nga prurjet bujare të autorëve që i kanë hapur këta sirtarë dhe kanë sjellë komentet e tyre gjithë ngjyra e shpesh nostalgjike. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për fotografi që janë harruar, jo profesionale, me cilësi të ulët dhe pikërisht kjo mungesë përsosmërie iu jep atyre forcën për të treguar historitë që mbrujnë, e që janë në gjendje ta zhvendosur tjetrin në kohë, në hapësirë, në jetët dhe në ëndrrat e të tjerëve.

Marrin pjesë shkrimtarë si Roberto Alajmo, Silvia Albertazzi, Bruno Arapia etj., por edhe fotografë si Sveva Balsamo, Antonio Bottazzo, Stefano Calanchi etj..

Vorpsi prezantohet me një foto bardhezi ku paraqitet një nudo e zbehtë që reflektohet në pasqyrën e banjës. Hiret e siluetit afrojnë me të autores. Nudoja është një subjekt që Ornela Vorpsi e ka eksploruar në monografinë e saj të parë fotografike “Nothing Obvious”, botuar nga “Scalo”, një nga ata libra që përcaktoi vendin e saj në fotografinë bashkëkohore në shoqërinë e Richard Billingham-it, Ray-it Laugh dhe Martin Parr-it. “Nothing Obvious” është një libër me portrete femërore dhe autoportrete.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›