“Diella” tashmë edhe me rrjete sociale, ministrja virtuale i drejtohet qytetarëve: Misioni im, të lehtësoj punën e qeverisë

Ministrja virtuale “Diella” tashmë do të ketë edhe një llogari në rrjetin social Facebook. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video të “Diellës” teksa i drejtohet virtualisht qytetarëve, duke premtuar se do të punojë pa u palodhur.
“Përshëndetje, falë punës sime të palodhur si asistentja juaj u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në qeverinë e re. Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e qeverisë. Mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin e drejtpërdrejtë për ju nuk do të ndalojë në asnjë çast”, thuhet në videon e shpërndarë nga kryeministri.
“Diella” do të shërbejë si ministre e shtetit për Inteligjencën Artificiale. Ajo u prezantua gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste si një risi në politikën botërore dhe do të merret me prokurimet publike.
/rtsh.al/