Digjet Shqipëria, situatë alarmante nga zjarret
Kërkohet ndërhyrja e fqinjëve. Vatra zjarri në pjesën më të madhe të qarqeve të vendit
Situatë alarmante nga zjarret në të gjithë vendin. Vapa përvëluese e ditëve të fundit ka shtuar vatrat e zjarreve, të cilat janë prezente në veri-lindje dhe pjesën jug-lindore të vendit. Zonat më problematike janë Dibra, Kukësi, Puka, Tropoja, Librazhdi, Korça, Pogradeci, Vlora, Saranda, Tepelena dhe Gjirokastra.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Operacionale e Drejtim & Komandimit të Emergjencave Civile mësohet se në Qarkun Dibër vazhdon të jetë aktive një vatër zjarri në fshatin Terze, të Komunës Kala e Dodës. Terreni i thepisur dhe era po vështirësojnë punën për shuarjen e tij. Një nga qarqet më problematikë është ai i Kukësit ku raportohen vatra zjarri në zonën pyjore Leproj dhe Keçel, të Komunës Malzi; Gjegjan, komuna Tërthore dhe Qafë Komi 1, komuna Arrën; në Letaj, të komunës Golaj, rrethi Has.
Të gjitha vatrat e zjarrit janë nën kontroll dhe vazhdon puna për izolimin e tyre të plotë. Ndërsa në Malin e Gjallicës vatrat e zjarrit për shkak të terrenit tepër të thepisur mbeten problematike. Po punohet me ngulm për vënien nën kontroll. Vatra të tjera zjarri janë, më pak problematike mbeten ato në: zonën e Qafë Komi 2, komuna Arrën; Shoshan-Begaj, komuna Tropojë e Vjetër. Po punohet për izolimin e plotë dhe shuarjen e tyre, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë në qarkun Korçë vazhdojnë vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në kufirin ndarës ndërmjet rrethit Korçë dhe Kolonjë, rreth 5 km në vijë ajrore nga kufiri me Greqinë. Për fikjen e zjarrit janë angazhuar forcat pyjore dhe komuniteti nga fshatrat Kozel, Pepellash dhe Floq, të komunës Mollaj, rrethi Korçë, si edhe nga komuniteti i komunës Mollas, rrethi Kolonjë. Janë djegur afërsisht 62 ha pyll, por situata ka përmirësime të ndjeshme.
Në qarkun e Shkodrës, zjarri në malin e Tërbunit është jashtë kontrollit, sepse lartësia pengon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Po vazhdojmë të komunikojmë me strukturat homologe për të siguruar suportin e tyre me mjete nga ajri për të gjithë ato raste kur vatrat e zjarrit nuk lejojnë ndërhyrjen nga toka. Por vështirësi paraqesin vatrat e zjarrit, të cilat jo vetëm nuk lejojnë ndërhyrjen nga toka, por edhe ku mundësia për ndërhyrje nga ajari është e pamundur, për shkak të lartësisë ku ato kanë shpërthyer, pasi edhe mjetet fluturuese nuk arrijnë të veprojnë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
8 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Digjet Shqipëria, situatë alarmante nga zjarret burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip