E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjitalizimi i administrimit të tokës bujqësore, përmirësohen të dhënat për më shumë se 100 ferma në Berat

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Në qarkun e Beratit po zbatohet faza e dytë e projektit pilot për Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës Bujqësore (LPIS), një proces i rëndësishëm për digjitalizimin e administrimit të tokës bujqësore dhe përgatitjet drejt Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS).

Projekti EU4PropertyRights, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor, synon krijimin e një sistemi modern për identifikimin, klasifikimin dhe kontrollin e parcelave bujqësore në Shqipëri.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bëri të ditur se, në fazën e dytë të pilotimit në Berat po zhvillohen verifikime në terren të të dhënave LPIS, në malin e Tomorit, ku janë përfshirë mbi 100 fermerë në 5 fshatra me tipologji të ndryshme relievi. Procesi konsiston në deklarime në terren, kontroll të mbivendosjeve të parcelave dhe simulim të procedurave të hetimit administrativ, me qëllim garantimin e saktësisë së të dhënave dhe rritjen e transparencës.

Rezultatet e fazës së dytë të pilotimit u prezantuan dhe u trajtuan gjithashtu në një workshop të posaçëm me pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj dhe ekipeve teknike të projektit. Gjatë këtij takimi u diskutuan gjetjet nga puna në terren në Qarkun e Beratit, përfshirë verifikimet e parcelave bujqësore, procesin e deklarimeve nga fermerët dhe testimin e procedurave të sigurimit të cilësisë së të dhënave LPIS. Ekspertët ndanë rekomandime mbi përmirësimin e metodologjisë së fotointerpretimit, menaxhimin e rasteve të mbivendosjeve dhe forcimin e mëtejshëm të standardeve teknike në funksion të zhvillimit të sistemit LPIS dhe përgatitjeve për IACS.

Ndërkohë, në fazën e parë të pilotimit, me mbështetjen e Qendrës së Përbashkët të Kërkimeve të Komisionit Evropian (Joint Research Centre), u hartuan mbi 35,000 hektarë tokë bujqësore në Qarkun e Beratit përmes teknologjisë GIS dhe ortofotove të vitit 2025 të ofruara nga ASIG.

AZHBR thekson se zbatimi i LPIS përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të administrimit të tokës, rritjes së kontrollit dhe përmirësimit të eficiencës në sektorin bujqësor, në përputhje me standardet evropiane.

1 nga 5

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›