E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjitalizimi i shërbimeve doganore, 2355 aplikime online në 2025-ën

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025 shërbimet doganore të ofruara përmes platformës “e-Albania” kanë shënuar një rritje të qëndrueshme, duke reflektuar përparimin e procesit të digjitalizimit dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve online nga bizneset dhe qytetarët.

“Në këtë periudhë janë regjistruar 2 355 aplikime online, çka përfaqëson një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2100 aplikime”, theksohet në njoftimin për shtyp të Doganës Shqiptare.

Sipas Doganës, ky tregues dëshmon besimin në rritje ndaj shërbimeve elektronike dhe eficiencën e tyre në lehtësimin e procedurave doganore.

“Paralelisht, gjatë vitit 2025 janë përditësuar në sistem 13014 autorizime për regjime të posaçme, duke shënuar një rritje prej 1,16% në raport me vitin 2024, kur numri i autorizimeve ishte 12864. Ky proces ka kontribuar në përmirësimin e administrimit dhe monitorimit të regjimeve doganore, si dhe në rritjen e transparencës procedurale”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vijon angazhimin për ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më transparente dhe më efikase, përmes zgjerimit dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale, në funksion të lehtësimit të ndërveprimit me biznesin dhe qytetarët.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›