E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dikiq: EULEX dhe KFOR të pengojnë kalimet ilegale

Pas sulmit me armatosur me armë automatike ndaj patrullës së xhandarmërisë ë Serbisë të dielën mbrëma afër Borovacit në Kurshumli, tash në atë zonë gjendja e sigurisë është e qëndrueshme, ka deklaruar komandanti i Xhandarmërisë, Bratisllav Dikiq, i cili i ka bërë thirrje EULEX-it dhe KFOR-it që “të pengojnë cenimin e paqes dhe kalimin ilegal të vijës administrative nga ana e separatistëve të armatosur shqiptar”

Në një kumtesë me shkrim dërguar medieve, Dikiq ka theksuar se “pjesëtarët e Xhandarmërisë po i zbatojmë të gjitha masat e veprimet taktike operativo nga kompetencat e veta dhe në harmoni me ligjin, në mënyrë që t’i pengojnë terroristët dhe kriminelët shqiptar për ta cenuar sigurinë e qytetarëve që jetojnë atje”.

Ai ka thënë se sot “në vendin e ngjarjes, me rastin e inspektimit që e kanë kryer organet gjyqësore, janë gjetur traktori me dru pa targa regjistrimi, gjurmët e gjakut, lëvozhgat e fishekëve nga lloje të ndryshme armësh nga të cilat është hapur zjarri ndaj nëpunësve policor të xhandarmërisë, sharra motorike dhe pjesë të gardërobës personale”, transmeton rtk.

“Kjo nuk është ngjarja e parë që separatistët e armatosur shqiptar ta kalojnë vijën administrative në atë zonë me qëllim të kryerjes së sulmeve terroriste dhe të veprave tjera penale. Prandaj u bëj thirrje organeve kompetente të EULEX-it dhe KFOR-it që të marrin masat nga kompetencat e veta dhe të pengojnë cenimin e paqes dhe kalimin ilegal të vijës administrative nga ana e separatistëve të armatosur shqiptar”, thotë pos tjerash komandanti i Xhandarmërisë serbe.
Gjenerali Dikiq i cili dyshohet edhe për krime në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe për disa vepra tjera kriminale dhe skandale në Serbi, për çka e ka marrë epitetin Legia i dytë, me këtë rast e përdor një fjalor të ashpër çfarë kohët e fundit nuk po përdorët nga organet dhe funksionarët zyrtar të Serbisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›