Diktatura që po vjen: Ndaleni tash!?
Kazerma x, 29 maj. Viti x.- Më urdhër të një komandanti lokal, djaloshi Hamzë A. Hatibi (13) është ndaluar nga dy pjesëtarë të forcave të Sigurisë dhe për dy javë rresht familjarët dhe shoqëria e tij e shkollës nuk kanë ditur për fatin e tij. Ndalimi ka ndodhur, sepse Hamza ishte i dyshuar se si pjesëtar i shoqërisë civile, e cila, synon rrënimin e shtetit, kinse në emër të mbrojtjes së integritetit të institucioneve të tij nga ndërhyrjet autoritariste të Qeverisë. Kjo e fundit sipas bindjeve të Hatibit, e ka degraduar modelin qeverisës duke shkelur të drejtat elementare të njeriut dhe ato civile.
Djaloshi ishte torturuar në njërën nga kazermat e kësaj force dhe pastaj ishte vrarë
Më vonë u kuptua se forcat e sigurisë e kishin kidnapuar djaloshin derisa ai po protestonte kundër keqqeverisjes në vend. U dëshmua se ia kishin thyer eshtrat, e kishin shqelmuar, në trupin e tij kishte shenja të dukshme dhune deri edhe fikje të cigareve dhe në fund ia kishin prerë gjenitalet.
Trupi ishte gjetur pas dy javësh pranë një kontejneri në kryeqytet.
Rasti nuk është i trilluar, por nuk ka ndodhur në Kosovë.
Bëhet fjalë për Hamza Ali al-Khatibin (13) nga Jiza, i arrestuar më 29 maj 2011 nga forcat siriane të sigurisë të presidentit Bashar Al Asad.
Sipas një memorandumi të panënshkruar ende, nga ministri i Policisë së Kosovës Bajram Rexhepi dhe ai i FSK-së Agim Çeku, kjo mund të ndodhë sot dhe këtu, në Kosovën nominalisht demokratike!?
Ky memorandum është menduar për ta legalizuar dhunën ndaj qytetarëve që mendojnë ndryshe nga pushteti, pra për ta mbrojtur pushtetin nga qytetarët, në shërbim të të cilëve do të duhej të ishte kjo Qeveri dhe kjo forcë sigurie.
Qeveria nuk jep së këndejmi liri, por paguhet nga taksat e qytetarit për ti garantuar ato.
Prishtinë, 2 qershor 2011 Kur Hamëz Hatibi ose Gashi, ose akëcili qytetar kosovar do tu bashkohej protestave antiqeveritare në një të ardhme, do të mund të kidnapohej pa asnjë mbështetje ligjore dhe të përfundojë si peng në kazermën Adem Jashari të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Kjo, sipas gazetës KOHA Ditore, do të jetë krejt e mundshme nëse hyn në fuqi një memorandum mirëkuptimi që e kanë përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e FSK-së, e që pritet të nënshkruhet nga ministrat përkatës, Bajram Rexhepi e Agim Çeku. Memorandumi i çuditshëm, sipas gazetës, synon që të obligojë Forcën e Sigurisë të Kosovës që të ndihmojë Qeverinë, gjegjësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në aktivitetet për realizimin e misionit të saj. Dihet se me Kushtetutën e Kosovës, Forca e Sigurisë nuk angazhohet në kurrfarë vendosjeje të ligjit, ndërsa turma (qysh përdoret në draftmemorandum) ka të drejtë kushtetuese të mblidhet, të kërkojë, të protestojë…
Sipas memorandumit, Forca e Sigurisë e Kosovës do të angazhohet edhe në arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa ti dorëzohen policisë, por edhe për menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit, dhe kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime.
Cila instancë vendos paraprakisht profilin e delikuentit dhe për domosdonë e shpartallimit të turmave dhe si mund të paragjykohet intenca shkatërrimtare e turmave, pa i ditur kërkesat e saj?
Pushteti?
Ah, ti lëmë shakatë!
Çe do kur Kosova e ka një police të karrierës për presidente të vendit (komandante supreme e forcave të armatosura) dhe, me gjasë, do ti pëlqente shumë memorandumi ushtarako-policor, si zbulim unik i kosovarëve, dhe e ka një kryeministër që vjen në politikë nga ish-guerilja UÇK, ka një ministër të FSK-së që është gjeneral lufte, pra ushtarak karriere, i cili mbase ka menduar se kështu i shërbehet atdheut në mënyrë shembullore; dhe natyrisht një bashkëluftëtar të tij të UÇK-së, ndonëse mjek karriere, ministër të Brendshëm.
Memorandumi i tillë (ndonëse ende draft i panënshkruar) duket se ka një prapavijë politike gri, sepse me gjasë vetë ideja u ka shkrepur në mendje politikëbërësve të errësirës, që nuk shfaqen në publik, por që dërgojnë mesazhe se janë fuqi influencuese e kombit dhe shoqërisë.
Paramendoni një memorandum mes policisë amerikane dhe marinsave për kontrollimin e turmave, gjatë protestave anti-globalizimit sot në New York ose kundër luftës në Vietnam, gjatë viteve 70.
Hiqni dorë fare, sepse kjo nuk mund të ndodhë në demokraci.
Po të përbeheshin këta dy ministra për kokën e fëmijëve të tyre, a dinë tu tregojnë qytetarëve të këtij vendi se çfarë kanë menduar (ose kush ka menduar për ta!) kur e kanë shkruar draftin e memorandumit kërcënues, thjeshtë totalitar dhe si mund tua shpjegojnë këtë qytetarëve dhe a shohin arsye për shpjegime shtesë.
A i bren ndërgjegjja?
Apo, ndoshta, edhe mendojnë ashtu siç kanë shkruar!?
Të trishton vetë ideja, por e mira më e madhe është se ky draft ra në duart e shtypit të lirë ende pa u nënshkruar nga ministrat përkatës, sepse po të ishte shndërruar në ligj autori i shkrimit në KOHA Ditore, që raportoi i pari lajmin, tashti do të kërkohej nga familja dhe kolegët e tij nëpër kazermat e FSK-së, si një delikuent.
E keqja më e trishtueshme është mendësia e tillë, e jo realizimi i një arresti të tillë, jokushtetues dhe kërcënues për secilin vend demokratik të globit.
Prej nga buron kjo mendësi?
Gjuha më së miri e shpreh vetë folësin, karakterin e tij, konstruktin shpirtëror, etikën, shijen, dijen, kujtesën, statusin shoqëror…
Por gjuha shpreh edhe marrësin, si do të reagojë ai, a do të jetë në gjendje për reagim të shpejtë, për ta mbrojtur veten dhe vlerat e shoqërisë së tij apo do të heshtë ose do ti duartrokasë folësit, kjo varet po ashtu, nga ndërtimi psikosocial i tij.
Me ndërtimin e konstitucionit psikologjik të frikës dhe frikësimit dhe me kontaminimin e gjuhës në Kosovë merret një kompani multimediale, e vetëquajtur ideja kombëtare, e cila ka arritur masën kritike të përmasave të një lufte potencialisht të mundshme (ndonëse për sigurinë në Kosovë kujdesen disa mijëra ushtarë të KFOR-it, si trupë e NATO-s dhe e autorizuar nga KS i OKB-së.) Kjo gjuhë është terror verbal. Pikë.
Dhe këtu e ka burimin terrori klasik, pra në gjuhë.
Gjuha nuk është, siç dëshironte Aristoteli, një hapësirë neutrale dhe paqësore në të cilën mund të shprehen pikëpamjet e kundërta; ajo as nuk është siç mendon Marxi, një instrument politik të cilin mund ta përdorin njësoj në shërbim të tyre si sunduesit ashtu edhe të sunduarit…Gjuha është thjesht pushtet, vetë forma e pushtetit, tërësisht e konturuar nga pushteti, madje edhe në formën e saj më të thjeshtë retorike vjen në përfundim Bernar Anry-Levi.
Ku konsiston ‘marksizmi gjuhësor’ i klasës politike në shoqërinë kosovare në transicion dhe si fshihet në ligjëratën e tyre dëshira për ta shtjerë në dorë pushtetin për ta kontrolluar me terror shoqërinë? Në këtë ‘dëshirë të projektuar për sundim’ më së denduri përdoret ideali kombëtar për liri, pavarësi dhe siguri dhe tradhtia e tjetrit
Sipas Michel Foucault, diskursi nuk është vetëm ajo që manifeston ose fsheh dëshirën...
Terroristët gjuhësor së pari hyjnë në një aleancë natyrore, lidhen me turmën pasi ta kenë frikësuar dhe prapa ‘diskursit’ fshehin dëshirën për ta shtënë pushtetin e pakufishëm në dorë. Pastaj ndërtojnë një diktator, qoftë edhe nga një palaço, kjo fare ska rëndësi, duke iu bërë themel dhe shtyllë qendrore diktaturës. Mendimi diktatorial së pari i ndërsen grupet falangiste kundër vlerave të shoqërisë civile, i cyt dhe ushqen një kohë, pastaj i përdor për interesat e sundimtarit dhe i hedh në rrugë, për t’u përleshur
