Dilema për hapjen e kutive, zbardhet vendimi i Kushtetueses në vitin 2003

Sali Berisha dhe Edi Rama janë njësoj të mendimit se hetimi parlamentar duhet të respektojë frymën e Kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare. Ajo çka i ndan që të dy ka të bëjë me interpretimin që i bëjnë vendimit të kushtetueses. Kryeministri dhe lideri i opozitës ndajnë vlerësime të ndryshme për vendimin nr.18, datë 14.05.2003 të Kushtetueses. Sipas të parit, kjo është baza ligjore që nuk lejon hapjen e kutive të votimit, ndërsa i dyti insiston se diçka e tillë nuk pengohet. Në majin e vitit 2003 një grup prej 32 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kërkuan interpretimin përfundimtar të nenit 77 pika 2 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Në arsyetimin e Kushtetueses thuhet se sipas nenit 77 pika 1 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe cakton komisione të posaçme. Ai gjithashtu ka të drejtë dhe, me kërkesë të një të katërtës së deputetëve, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. E drejta e Parlamentit për të ngritur komisione hetimore është një prerogativë dhe një mjet i domosdoshëm që i nevojitet për të ushtruar dhe perfeksionuar pushtetin e tij legjislativ. Qëllimi i ngritjes së komisioneve hetimore është për të njohur dhe verifikuar në thellësi një fenomen, një ngjarje, një veprimtari, me synimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta. E drejta për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor është parashikuar në Kushtetutë si e drejtë e një të katërtës së anëtarëve të Kuvendit. Ngritja e komisionit me votë të një minorance, apo siç pranohet në doktrinën kushtetuese, nëpërmjet zbatimit të parimit të hetimit me votim pakice, dëshmon në këtë drejtim një avancim demokratik të Kushtetutës sonë. Ekzistenca e këtij parimi, që përbën një veçanti të Kushtetutës, e forcon në mënyrë të konsiderueshme rolin e komisionit hetimor si një instrument efikas kontrolli. Nga ky këndvështrim i problemit, Gjykata Kushtetuese çmon se e drejta e pakicës vetëm për sa i përket kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor mbetet një e drejtë e pakufizuar nga vullneti i shumicës. Njëkohësisht, e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit e kufizon kompetencën e shumicës për të ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e pakicës, me përjashtim të rasteve, kur nga qëllimi dhe objekti i hetimit konstatohen se preken parimet kushtetuese. E drejta e një të katërtës së deputetëve për të ushtruar hetimin parlamentar nuk mund të konsiderohet absolutisht e pakufizuar. I vetmi kufizim i saj është i lidhur me detyrimin që, objekti i hetimit, të jetë në përputhje me respektimin e parimeve të sanksionuara nga Kushtetuta. Ekzistenca e një kufizimi të tillë, edhe pse nuk përmendet në nenin 77 të Kushtetutës, është e kuptueshme dhe buron nga dispozita të tjera të saj. Sipas nenit 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në demokracitë perëndimore, parimi i ndarjes së pushteteve, megjithëse efektiv, nuk është zbatuar në mënyrë strikte duke mos ndjekur modelin ideal klasik. Nga ky vështrim doktrinar që jep jurisprudenca kushtetuese europiane, Gjykata Kushtetuese çmon të nevojshme të theksojë se kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë, që të mos ndërhyjë pa kufizim në veprimtarinë e pushteteve të tjera. Një hetim i iniciuar që nuk lidhet me qëllimet dhe që nuk i përket veprimtarisë së legjislativit, nuk konsiderohet në përputhje me parimet kushtetuese. Ky instrument i rëndësishëm nuk mund të përdoret në mënyrë abuzive dhe tej hapësirës kontrolluese që Kushtetuta i njeh Kuvendit. Prandaj, ushtrimi i këtij mjeti juridik kushtetues për ato çështje dhe në ato pushtete, ndërkohë që Parlamenti në aspektin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve mund ta ketë të pamundur ushtrimin e kontrollit, do të dëmtonte këtë kompetencë kushtetuese. Një element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Ekzistenca e parimeve të tilla nuk pranon mbi veprimtarinë e gjykatave influenca diktuese që mund të vijnë nga pushtetet e tjera. Vendimet gjyqësore mund të ndryshojnë nga një autoritet gjyqësor më i lartë dhe të vetmet përjashtime të pranuara nga doktrina e së drejtës janë prerogativa presidenciale e faljes dhe e drejta e ligjvënësit për nxjerrjen e akteve të amnistisë.
#