Dilemat e sheshit Skënderbej
FATOS LUBONJA
Nëse do ti rendisja, pa u menduar gjatë, përshtypjet e para që më erdhën duke parë sheshin Skënderbej të mbaruar, do të vija, sipas radhës, shprehjet: – Shyqyr që mbaroi dhe kemi një gjendje normale trafiku. – Po si paska dalë kështu, me këtë 8-n që ka në mes Skënderbeun? – Mirë që u ka shkuar mendja të vendosin bar e të mbjellin pemë të paktën. – Po gjithë kjo hapësirë e rrethuar brenda 8s çkuptim ka? – Kush ta ketë bërë projektin? A ka pasur ndonjë debat ndonjë oponencë, apo si gjithmonë vijat i ka hequr shefi vetë, kurse specialistët thjesht kanë hedhur në të pastër projektin e tij? Nëse përshtypja e parë, e kthimit të sheshit në normalitet, ska nevojë të komentohet e për këtë duhet falënderuar dhe inkurajuar Bashkia – për të tjerat mund të tirren gjatë argumente ku sështë e thënë të jenë të gjithë në një mendje. Po përpiqem të përmbledh shkurtazi ato të miat. Përsa i përket estetikës, më duket se pamja që ka dalë nuk bën përjashtim në rregullin e vendosur tashmë se gjithçka apo thuajse gjithçka që është bërë në këta njëzet vjet e ka bërë më të shëmtuar Tiranën se çka qenë. Kur flas për sheshin si më të shëmtuar nga çka qenë, nuk kam parasysh tmerrin që na panë sytë një vit e gjysmë para këtij punimi, madje as degradimin e gjatë para tij, por tri pamje të tij që i kam në kujtesë pak a shumë të idealizuara. Pamja e parë është ajo e sheshit deri në vitin 1962, kur pjesa në vazhdim të lulishtes ovale ishte rrethore e përmbyllej ende nga Pazari i Vjetër, lokalet te fillimi i Rrugës së Dibrës, ish Bashkia dhe ishkafe Kursali; pamja e dytë është ajo që mori sheshi kur pjesën e Pazarit e zëvendësoi Pallati i Kulturës e më vonë u rrethua edhe nga hotel Tirana, ndërkohë që të tjerat mbetën pak a shumë siç kishin qenë; pamja e tretë është ajo që mori kur u kthye në katror me shkatërrimin e ish-Bashkisë, të kafe Kursalit dhe të rrethinave prapa tyre, për ti hapur vendin Muzeut Kombëtar dhe pastaj monumentit të Enver Hoxhës. Për mua nuk ka pikë dyshimi se këto operacione kanë ardhur duke e shëmtuar sheshin. Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe ndoshta ska të bëjë edhe aq me aftësitë profesionale të arkitektëve që i kanë projektuar ndonëse edhe kjo sduhet të neglizhohet, – por me humbjen e koherencës që i kanë sjellë shkatërrim/ndërtimet e pjesshme, të urdhëruara nga lart, sa me kërleshjen e stileve arkitektonike, aq edhe me shpërndërrimin e historisë dhe të funksionalitetit të sheshit. Nga një shesh i konceptuar kryesisht për rrethqarkullim këmbësorësh, karrocash e pak makinash, ku mund të bëhej edhe ndonjë tubim, e që në tërësinë e tij lidhej në mënyrë shumë më harmonike dhe njerëzore si me ovalen në mes të ministrive, ashtu edhe me ndërtimet përreth tij, ai u shndërrua nga komunistët në një shesh pushteti, monumentaliteti, duke humbur dimensionin njerëzor që kishte. Ndërtesa e Pallatit të Kulturës dhe ajo e Muzeut, por edhe hotel Tirana, mbetën të palidhur arkitektonikisht me ndërtesat e ministrive e të Bankës. Ndërkaq, ndërtesat katër-pesëkatëshe që u ngritën prapa Muzeut e prapa Bankës e krijuan një lloj raporti me to, por në kurriz të shkatërrimit të shumçkaje nga historia dhe bukuria e zonës ku u ngritën. Vendosja e monumentit të Enver Hoxhës, krahas atij të Skënderbeut, e bëri edhe më monumental, më absurd e njëherësh më të shëmtuar sheshin. Në këtë gjendje, por edhe të degraduar materialisht, e gjetën sheshin fillimvitet 90. Shëmtimi kryesor që bënte të nevojshëm një ndërhyrje pas viteve 90, sipas gjykimit tim, ishte ai që i shkaktonte hapësira e mbetur bosh tek ish-shtatorja e diktatorit. Operacioni rregullues duhej të përqendrohej vetëm aty. Kurse pjesa tjetër, mirë-keq, ishte për tu restauruar, por jo për tu ndryshuar. Ajo jo vetëm që kështu do të ruante historinë, qoftë edhe me shatërvanin katërkëndësh që zëvendësoi atë rrethor kur sheshi para Skënderbeut u kthye në katërkëndësh, por do të mbetej edhe më koherente pasi çdo ndërhyrje e re e rëndësishme rrezikonte ta bënte edhe më shëmtuar. Mirëpo në vend të kësaj, me vitet 90 sheshi filloi të shihet si një vend kryesor ku pushtetarët e rinj donin të vinin vulën e tyre. Shëmtimin e mëtejshëm e filluan Kelmendi e Brojka me vendosjen e kioskave kudo ku mundën, deri edhe brenda ovales prapa Skënderbeut, e cila vdiq kështu si lulishte. Kioskizimi i gjithandejshëm sheshit i solli një degradim të madh që i hapi mundësinë edhe shpërndërrimit të tij. Më pas, Edi Rama, duke aplikuar teorinë historia fillon me mua, edhe pse votat i kishte marrë me premtimin e kthimit në identitet, kreu aksionin e prerjes së pishave dhjetëravjeçare në ovalen prapa Skënderbeut, si dhe ndryshoi planimetrinë që ajo kishte pasur brenda saj me pretendimin se do ta bënte këtë ovale sipas një modeli fjorentin, që rezultoi një shëmtim i mëtejshëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me një si shtëpi kuti katërkëndëshe druri e xhami që u vendos në vend të shatërvanit. Ndërkaq, hapësira tek ish-monumenti i Enver Hoxhës ishte bërë e mbeti teatër i lloj-lloj banalitetesh edhe për shkak se, si pa gjë të keq, kjo ishte privatizuar dhe pronarët, me projektet e tyre potenciale, nuk lejonin ndërhyrjen. Në këto kushte u bë hartimi i një plani të ashtuquajtur francez që më rezulton se është bërë nën diktatin e pronarëve të trojeve brenda dhe rrotull sheshit, por që na u shit si modernizim i qendrës, si harmonizim i historikes me modernen. Sipas këtij plani, sheshi rrethohej me nja gjashtë grataçiela 25-katëshe dhe me një numër ndërtesash të tjera të larta. Tre prej grataçielave parashikohej të ngriheshin nga lindja prapa Pallatit të Kulturës. Tri të tjera nga perëndimi: njëra prapa Bankës, duke prishur ndërtesën katërkatëshe tashmë historike të Petraq Kolevicës, njëra në fillimin ku takohen Rruga e Durrësit me atë të Kavajës, e tjetra prapa ndërtesës katërkatëshe që bën njërin nga këndet e Rrugës së Durrësit. Përveç këtyre, sheshi rrethohej edhe nga veriu me disa ndërtesa të tjera të larta, ndër të cilat një 15-katësh që parashikohej të ngrihej në hapësirën katrore brenda Muzeut Kombëtar, nja dytri më të ulëta, por deri tetëkatëshe përpara 15- katëshit e mbi hapësirën e fillimit të bulevardit Zogu I, midis hotel Tiranës dhe Muzeut. Shtoi këtyre edhe një qendër biznesi tre-katërkatëshe midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, në vendin ku ka qenë monumenti i diktatorit. Nuk ka nevojë të kesh ndonjë imagjinatë të zhvilluar për të parafytyruar se këto ndërtesa me lartësinë, shpeshtësinë dhe kakofoninë e tyre të stileve do ta shëmtonin edhe më tej sheshin si në kuptimin e zhvleftësimit të ndërtesave historike rreth e rrotull tij, edhe si peizazh urban në tërësi. Efektin shkatërrues mbi peizazhin urban të ndërtesave të reja mbi ato të vjetra dhe të atyre gjigante mbi ato më të ulëta e sheh sot gjithandej në Tiranë. Nga ato më afër sheshit le të përmend Torre Drinin apo atë hinkën 25-katëshe të ngritur te tyrbja e Sulejman Pashës apo efektin shkatërrues mbi ndërtesat e ministrive të shpallura monument kulture që ka shkaktuar Kisha Ortodokse e ndërtuar në një hapësirë në të cilën dikur kishte një park që u jepte hapësirë e dritë e vlerë edhe këtyre ndërtesave. Plani belg për sheshin u tha se korrigjonte apo perfeksiononte atë francez. Në fakt, me gjithë trumbetimin me aq bujë të francezit si gjë perfekte, belgu i hiqte atij dy-tre ndërtesa krejtësisht absurde përpara hotel Tiranës e linte vetëm një ndërtesë absurde midis hotel Tiranës e Muzeut Kombëtar, si dhe ndërtesën midis Bankës dhe Muzeut, duke e kthyer sheshin gjithashtu në një hapësirë pedonale ku qytetarët do të mund të ngjiteshin edhe në një piramidë të vogël që ta do mendja se do të kulmonte atje ku ishte dikur shatërvani. Mendohej se qytetarët do të shijonin edhe ovalen prapa Skënderbeut ku, me sa di, ka qenë ideja se mund të mbilleshin edhe pemë. Kjo hapësirë pedonale do të