Dimri në fshatrat e thellë, banorët në Gjinaj të Hasit kanë marrë masat më herët

Si shumë fshatra të tjerë, edhe banorët në Gjinaj të Hasit janë përgatitur për dimrin, edhe pse ky i fundit erdhi me vonesë.
Mëngjesin e sotëm, në një rrugice tipike të fshatrave ku mund të kalojnë vetëm këmbësorët ose kafshët, takuam Ilmiun, 75 vjeç, i cili po ikte të mbyllte bagëtitë.
“Unë merrem me blegtori. Jam përgatitur deri diku për dimrin, por edhe nëse ngel, shes një lopë. Blegtoria të mban, të jep tërë të mirat”, tha ai.
Ilmiu thotë që acari dhe dëbora kishin edhe të mirat e veta.
“Më përpara, çaja dëborën dhe kam mbajtur 150 kokë dhen”, tregon Ilmiu.
Prej 50 vitesh merrej me dele, por numri i tyre ishte pakësuar pavarësisht kujdesit që Ilmiu tregonte për tufën.
“I kam hequr sepse më kanë ikur djemtë, kam vetëm 15 që i mbaj nëse më bie ndonjë hall”, u shpreh Ilmiu.
Në Gjinaj ishte dhe Haliti, i cili është bërë gati për këtë sezon. Ai tregon që pjesa me e madhe e banorëve të fshatit janë moshë e thyer, por ata që janë larguar kanë investuar përsëri në fshat.
“Janë rikthyer, mund të gjesh 5-6 djem të rinj, por kanë investuar boll këtu”, tha ai.
Mesa duket dimrat nuk janë më si më përpara, bujqësia e blegtoria po mbahen gjallë nga këta banorë që dita ditës po ndjehen të lodhur për vazhdimësinë e zhvillimit të këtyre sektorëve.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh/