Dimri po vjen, por në Sarandë vijon sezoni, 1900 turistë zbresin nga kroçera “Oosterdam”! Ja 6 destinacionet shqiptare që do vizitojnë (VIDEO)

Porti i Sarandës ka mirëpritur sot një tjetër anije turistike, duke konfirmuar vijimin e sezonit turistik edhe gjatë muajve të vjeshtës.
Kroçera “Oosterdam”, e kompanisë prestigjioze Holland America Line, mbërriti në qytetin bregdetar me rreth 1.900 turistë në bord.
Vizitorët kanë nisur turet e tyre në disa prej destinacioneve më të njohura të jugut të Shqipërisë.
Në programin e vizitave përfshihen Parku Kombëtar i Butrintit, Kalaja e Lëkurësit, Syri i Kaltër, Mesopotami, Karahaxhi dhe qyteti muze i Gjirokastrës.
Mbërritja e kroçerës është një tjetër tregues i interesit të lartë që turistët e huaj vazhdojnë të kenë për Sarandën dhe zonat përreth, edhe pas përfundimit të sezonit veror.
Autoritetet lokale vlerësojnë se fluksi i vizitorëve nga kroçerat po ndikon pozitivisht në ekonominë e zonës, duke gjallëruar aktivitetin e bizneseve të lidhura me turizmin, shërbimet dhe tregtinë.
Saranda, Ksamili dhe destinacionet e tjera turistike të jugut vijojnë të tërheqin vizitorë nga e gjithë bota falë kombinimit të bukurive natyrore, trashëgimisë historike e arkeologjike, kulturës vendase, mikpritjes dhe traditave shqiptare.