E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Shalë-Tropojë, perspektiva të reja për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Punimet në rrugën Shalë–Tropojë, një nga investimet e rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit që lidh zonën e Dukagjinit me Kurorën e Alpeve Shqiptare, po vijojnë me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aks që e konsideroi, “një tjetër rrugë të re drejt zhvillimit”.

“Vijon puna për lidhjen e Dukagjinit me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës, një investim që hap perspektiva të reja për turizmin, ekonominë lokale dhe jetën e banorëve”, u shpreh Rama.

Ky investim do të krijojë një korridor të ri lidhës mes zonave alpine, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, si edhe duke rritur potencialin për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Realizimi i këtij projekti pritet të rrisë aksesueshmërinë në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit malor në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe në promovimin e Alpeve Shqiptare si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›