E Diel, 1 Nëntor 2026

Dimri troket në Kukës, banorët përgatiten për të siguruar rezervat e stinës

Reshjet e shiut u zëvendësuan me reshje dëbore në zonat malore. Majat e maleve u zbardhën nga dëbora duke dhënë shenjat e para për dimrin. Për banorët e fshatrave në Kukës, dimri është në kohën e tij, ndaj përgatitjet i bëjnë në kohë duke siguruar rezervat për ushqime e ngrohje.

“Dimri ka vaktin tani, është koha e vetë. Duhet me u përgatit”, tha një nga banorët.

“Dimri shyqyr që vjen e të vijë sikur ka ardhur gjithmonë. Pa dimër nuk ka verë, Ne e dimë çdo të thotë dimër dhe përgatitemi. Lëmë shumë gjëra pa bërë, për të siguruar bazën ushqimore, drurin, ngrohjen”, tha një tjetër banor.

Reshjet e dëborës kane zbritur deri në lartësitë 1200 metra mbi nivelin e detit, ndërsa temperaturat kanë rënë deri në 6 gradë celsius. Drutë për ngrohje janë elementi i parë për të cilët interesohen dhe sigurojnë banorët në Kukës, por jo vetëm. Ndërsa ushqimet dhe rezervat për familjen dhe blegtorinë i sigurojnë hap pas hapi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›