Negociatat për paqe mbi Ukrainën-Sekretari i ushtrisë amerikane bisedime me zyrtarët rusë në Abu Dhabi

Sekretari i Ushtrisë Amerikane Daniel Driscoll ka zhvilluar bisedime me zyrtarë rusë në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe mbi bisedimet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për mediat ukrainase tha se diskutimet e Driscoll do të vijojnë.
Zyrtari shtoi se Driscoll kishte planifikuar të takohej me zyrtarë ukrainas gjatë qëndrimit të tij në Abu Dhabi.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi këto zhvillime ndërsa CBS Neës raportoi mbi bisedimet duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime diplomatike të paautorizuara për të folur publikisht.
“Sekretari Driscoll u takua mbrëmjen e së hënës me anëtarët e delegacionit rus për disa orë në Abu Dhabi. Ai është planifikuar të takohet përsëri me ta gjatë ditës së sotme për të diskutuar procesin e paqes dhe për të çuar përpara me shpejtësi negociatat e paqes”, tha zyrtari amerikan.
Gjatë fundjavës, Driscoll, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari i Trump Steve Witkoff, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner dhe diplomatë nga Ukraina dhe aleatët evropianë morën pjesë në bisedime në Gjenevë, Zvicër. Takimi i Driscoll me zyrtarët rusë pasoi vizitën e tij në kryeqytetin ukrainas javën e kaluar.
Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas diskutuan mbi vizitën e mundshme të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në SHBA përgjatë kësaj jave raportoi CBS Neës. Deri më tani nuk janë konfirmuar plane specifike për vizitën.
Një zyrtar amerikan i tha CBS Neës se udhëheqësi i Kremlinit Vladimir Putin duket se beson se do të siguronte rajonin e Donetskut në Ukrainë, qoftë përmes negociatave ose në fushën e betejës.
Sipas zyrtarit, bisedimet e administratës Trump në Gjenevë filluan me supozimin se Putin ka të drejtë.
Plani i fundit i paqes prej 28 pikash i SHBA-së ka ngritur shqetësime se administrata Trump mund të ushtrojë presion mbi Ukrainën për të nënshkruar një marrëveshje shumë të favorshme për Moskën.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, ekziston gjithashtu një dokument mbështetës që lidhet me garancitë e sigurisë.
Ndërkaq, zyrtarët e administratës amerikane kanë bërë të ditur se është rënë dakord tashmë për shumicën e pikave të planit për përfundimin e luftës në Ukrainë.
/rtsh.al/